Botërori 2026 me 48 Kombëtare dhe me 104 ndeshje

Botërori 2026 me 48 Kombëtare dhe me 104 ndeshje

FIFA është e gatshme ta aprovojë rritjen e numrit të Kombëtareve pjesëmarrëse në Kupën e Botës.

“Sky News” mëson se shtëpia e futbollit botëror po planifikon ta rritë nga 32 në 48 numrin e kombëtareve që nga Botërori 2026, që do të mbahet në Amerikën e Veriut (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë).

Me këtë rast, vendimi eventual mund ta rritë nga 64 në 104 numrin e ndeshjeve, ndërsa deri tash ishte planifikuar që në Kupën e ardhshme të Botës të luhen 80 ndeshje.

Në mbledhjen e këshillit drejtues të trupës qeverisëse të futbollit botëror, që po mbahet në Kigali, Rwanda, mund të vendoset për këtë ndryshim, i cili mund t’i ofrojë deri në 40 ndeshje më shumë që nga Botërori 2026.

Përpos zgjerimit të formatit, FIFA synon që me këtë rritje t’i fitojë nga 9 deri në 11 miliardë funte nga të hyrat e kësaj gare.

Me 48 Kombëtare pjesëmarrëse mund të formohen 12 grupe me nga katër ekipe.

Dy Kombëtaret e para të secilit grup dhe tetë më të mirat e vendeve të treta do të avancojnë në fazën eliminuese.

Ky zgjerim i Kupës së Botës mund t’ua rritë gjasat shumë Kombëtareve, përfshirë këtu edhe Kosovës dhe Shqipërisë, për ta realizuar ëndrrën – kualifikimin në Botëror.

MARKETING