Borrell: Tërheqja e trupave ruse, alternativa e vetme për paqe me Ukrainën
“Tërheqja e trupave dhe pajisjeve ushtarake ruse nga i gjithë territori i Ukrainës është i vetmi opsion për të rivendosur paqen dhe sigurinë”. Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në një bisedë telefonike të zhvilluar këtë të shtunë me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.
“Në mungesë të veprimeve të tilla konkrete, një armëpushim i njëanshëm duket si një përpjekje e Rusisë për të blerë kohë për të rifurnizuar dhe riorganizuar trupat e saj ose për të riparuar reputacionin e saj të shkatërruar ndërkombëtar”, tha Borrel.
Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi ditën e enjte (5 janar) ministrin e tij të Mbrojtjes, të vendosë një armëpushim prej 36-orësh në vijën e frontit me Ukrainën.
Nga ana tjetër, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky hodhi poshtë propozimin e Rusisë për armëpushim 36-orësh, lidhur me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse Ruse. Zelenskyi këmbëngul se lufta do të përfundojë kur ushtarët rus të largohen nga Ukraina.