Borrell kritikon BE-në: Gjysma e bombave që bien mbi Gazën vijnë nga ne

Ish-Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, e ka kritikuar ashpër BE-në për pasivitetin e saj ndaj ngjarjeve në Gaza, duke vlerësuar se ky është akti më i madh i spastrimit etnik që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se gjysma e bombave që bien mbi Gaza sigurohen nga BE-ja.
MARKETING
Duke folur në ceremoninë për Çmimin Evropian “Carlos V” në manastirin spanjoll të Yuste, me rastin e Ditës së Evropës, Borrell theksoi:
“Jemi dëshmitarë të spastrimit më të madh etnik që nga Lufta e Dytë Botërore, po vrasin palestinezë për t’i hapur rrugën një resorti turistik. BE-ja ka mjetet për të protestuar dhe për të ndikuar në sjelljen e Izraelit, por nuk po e bën këtë. Gjysma e bombave që bien mbi Gazën vijnë nga ne”, tha ai.
Borrell i quajti ngjarjet në Gaza një gjenocid dhe u bëri thirrje brezave të rinj në Evropë ta paguajnë çmimin e paqes përmes integrimit më të shpejtë ushtarak dhe financiar të Bashkimit Evropian:
“Nëse nuk e bëjmë këtë, qytetërimi evropian nuk do t’i mbijetojë një bote kaotike të sunduar nga njerëz si Trumpi dhe Putini.”
Ai e quajti Putinin një “despot” dhe Trumpin një “mjeshtër të kaosit”, duke theksuar se BE-ja duhet ta rrisë qëndrueshmërinë e saj ndaj goditjeve të jashtme dhe të marrë më shumë përgjegjësi në marrëdhëniet globale.
Së fundmi, Borrell kritikoi reagimin e ngadaltë të BE-së ndaj pushtimit rus të Ukrainës, duke theksuar se BE-ja ishte vonë në dërgimin e armëve në Kiev.