Bomba, pushkë dhe kërcënime për vrasjen e Messit, zbardhet raporti i policisë amerikane

Bomba, pushkë dhe kërcënime për vrasjen e Messit, zbardhet raporti i policisë amerikane

Lionel Messi ka marrë më shumë kërcënime me vdekje se çdo futbollist tjetër gjatë Botërorit 2026.

MARKETING

Description of image

Kështu raporton “Marca”, e cila ka shqyrtuar një raport të gjerë të policisë amerikane mbi sigurinë gjatë turneut të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara.

Sipas gazetës spanjolle, raporti i policisë amerikane përfshin të gjitha kërcënimet e sigurisë me të cilat u përballën FBI dhe IPCC gjatë Botërorit të fituar nga Spanja.
“Marca” zbulon gjithashtu një sërë detajesh tronditëse.
Një person thuhet se kishte kërcënuar se do të sulmonte stadiumin gjatë ndeshjes së fazës së grupeve mes Jordanisë dhe Argjentinës, së bashku me dy persona të tjerë, të armatosur me bomba të prodhuara në mënyrë artizanale dhe një pushkë AR-15.

Gjatë asaj telefonate, Messi u përmend si objektiv specifik. Synimi ishte vrasja e yllit argjentinas.

Përpara ndeshjes mes Argjentinës dhe Egjiptit, hetuesit zbuluan gjithashtu disa mesazhe shqetësuese në internet.

“Do të hyj në stadiumin e Atlantës dhe do ta hedh Messin në erë me katër bomba të lidhura në trup”, kishte shkruar një i dyshuar në rrjetet sociale.

Gjatë së njëjtës ndeshje, autoritetet kryen edhe një kontroll real për bomba brenda stadiumit. Dyshohej se ato mund të ishin fshehur në disa kosha mbeturinash. Pas një kontrolli të plotë të stadiumit me qen nuhatës, rezultoi se alarmi ishte i rremë.

“Marca” raporton gjithashtu se disa persona u arrestuan për kërcënime ndaj Cristiano Ronaldos.

FIFA njoftoi FBI-në pasi një person i dyshimtë këmbëngulte vazhdimisht për të marrë detaje rreth vendndodhjes së Ronaldos. Më pas, autoritetet e arrestuan.

Dy ditë më vonë, policia e Houstonit e gjurmoi të njëjtin person dhe e arrestoi në hotelin ku qëndronte kombëtarja e Portugalisë.

Në Toronto, një tjetër person u arrestua pas një incidenti të ngjashëm, pasi tentoi të hynte në ashensor bashkë me Ronaldon, duke pretenduar se dëshironte vetëm të bënte një selfie me të.

Edhe arbitrat e Botërorit morën një numër të madh kërcënimesh me vdekje.

Arbitri francez François Letexier mori më shumë se 6,000 mesazhe me përmbajtje urrejtjeje pas drejtimit të ndeshjes së diskutueshme mes Argjentinës dhe Egjiptit.

Pas këtyre kërcënimeve, autoritetet franceze shtuan masat e sigurisë për Letexierin, shtëpinë e tij dhe familjen e tij në Francë.

MARKETING