Blerim Kolalli si këshilltar i Pendarovskit ka ndikuar në disa procese pozitive në RMV

Blerim Kolalli si këshilltar i Pendarovskit ka ndikuar në disa procese pozitive në RMV

Blerim Kolalli si Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të Republikës Stevo Pendarovski, ka marrë pjesë drejtpërdrejtë dhe ka kontribuar në disa prej çështjeve dhe sfidave më të rëndësishme të sigurisë për vendin tonë, raporton Almakos.

Më poshtë e gjeni deklaratën e plotë të Kolallit:

Miq të dashur, gjatë pesë viteve të fundit, e kisha nderin dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme të shërbej si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit të Republikës, si dhe Sekretar i Këshillit të Sigurimit, njëra prej detyrave më të rëndësishme dhe më të ndjeshme në sistemin e sigurisë së shtetit.

Për besimin e dhënë, dua të falënderoj presidentin Pendarovski, i cili para pesë vitesh nuk hezitoi fare të ma besojë mua – Blerimit, atë përgjegjësi dhe nder të madh shtetëror. Gjatë këtyre pesë viteve, kam marrë pjesë në disa nga proceset dhe sfidat më të rëndësishme të sigurisë me të cilat përballej vendi.
Anëtarësimi në NATO është padyshim një nga sfidat dhe arritjet e para, një proces që jo vetëm na bëri anëtarë të aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake në historinë e planetit, por hapi edhe një proces jashtëzakonisht domethënës të reformës së sigurisë dhe harmonizimit me aleancën euroatlantike. Proces ky i panjohur për shumicën e opinionit publik, por i një rëndësie të jashtëzakonshme historike, sa i përket pozicionimit tonë në atë që njihet si hemisfera perëndimore dhe komunitet euroatlantik.

Thënë shkurt, mbarë sistemi i sigurisë së shtetit, në një periudhë shumë të shkurtër kohore, duhej të ristrukturohet dhe të përshtatet ndaj aparatit operacional të sigurisë euroatlantike. Më e rëndësishme se kjo, është një sistem i ri i vlerave euroatlantike të sistemit të sigurisë, që duhet t’i përshtaten realitetit të ri. Ky proces, tashmë në vijim e sipër, do të vazhdojë dhe do t’i nënshtrohet vazhdimisht kontrolleve nga miqtë tanë strategjikë euroatlantikë. Ata që shpresojnë se mund të vazhdohet me të vjetrën – do të befasohen.

Gjatë mandatit pesëvjeçar, ndodhi një prej sfidave më të rëndësishme të sigurisë gjeostrategjike në historinë e viteve të fundit – agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës… Më kujtohet se atë vit, si pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, bashkë me Presidentin Pendarovski, biseduam me disa nga krerët më të fuqishëm të shërbimeve të sigurisë perëndimore në botë dhe pyeteshim nëse Putini do të sulmojë. Tani mund të them se vetëm një shërbim inteligjent parashikoi saktë se çfarë do të ndodhë, madje e qëlloi edhe datën e sulmit nga Putini.

Agresioni ushtarak rus hapi jo vetëm sfida jashtëzakonisht të rëndësishme për sigurinë e Ukrainës, por ajo që ka edhe më shumë rëndësi për ne, edhe për kontinentin evropian, për Ballkanin, e për rrjedhojë edhe për vendin tonë. Sfidat e sigurisë që rezultojnë nga agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës janë aktuale jo vetëm sot, por do të intensifikohen edhe më tej, veçanërisht duke pasur parasysh rajonin tonë – për më tepër – kërcënimet hibride ruse në Ballkan, për të cilat nuk dihet shumë në opinionin e gjerë.

Për shtetin tonë, problem nuk janë vetëm kërcënimet klasike të sigurisë nga Rusia dhe vendet tjera që duan ta sfidojnë ekuilibrin e stabilitetit të komunitetit euroatlantik, por mbi këtë, kërcënimet hibride që rrjedhin nga ata dhe që kërkojnë të përshtatemi shpejtë ndaj rrethanave të porsakrijuara të sigurisë.
Do ta veçoj këtu edhe pandeminë Kovid, “murtajën” historike që e njihnim nga librat dhe mitet mesjetare, e cila na u shfaq në shekullin XXI si një nga sfidat e shumta që duhej ta përballonim. Një kundërshtar i padukshëm, shumë të panjohura shëndetësore dhe shkencore, një krizë dhe pasiguri e tmerrshme, një qeveri teknike, një parlament i shpërbërë dhe shumë dilema kushtetuese-juridike. Sfidë e pabesueshme për Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit.
Më vjen thellësisht mirë që gjatë mandatit të Presidentit Pendarovski, arritëm të shtyjmë para disa gjëra që, për fat të keq, më parë konsideroheshin të paarritshme ose të pamundura, por që janë pjesë e një agjende të bukur progresiste në të cilën unë personalisht besoj fuqishëm. Si për shembull, adjutantia e parë ushtarake femër e Presidentit dhe Komandantit Suprem, apo ushtarët e parë shqiptarë etnikë në njësinë elitare të ushtrisë speciale “Ujqit”… Ka shumë të tjera arritje që ndodhën historikisht dhe për herë të parë, por për këto ndoshta në ndonjë rast tjetër. Jam i sigurt se ato arritje do të mbahen mend si “Epoka e Pendarovskit”.

Ditët ishin shpesh të gjata dhe mbaronin vonë, e megjithatë, pesë vitet kaluan sa një çast. Telefonatat e orëve të vona, takimet stresuese, ndjekjet nëpër aeroporte ku gjeja ndonjë minutë për ta telefonuar familjen për të pyetur si janë në shtëpi dhe çfarë bën Joni, por edhe energji pozitive me ekipin, shaka, kujtime të mira dhe situata emocionuese që do të mbahen mend.
Në fund, edhe një herë, më vjen shumë mirë që në disa periudha fenomenale historikisht interesante për vendin tonë, e kisha mundësinë e jashtëzakonshme të jem Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të Republikës Stevo Pendarovski, të marr pjesë drejtpërdrejtë dhe të kontribuoj në disa prej çështjeve dhe sfidave më të rëndësishme të sigurisë për vendin tonë.
Mund të them që – It was a great ride!
Shihemi ne ndonjë film tjeter…”

MARKETING