Bideni i shprehu admirim Netanyahut ndërsa Izraeli kryente gjenocid në Gaza: “Të admiroj, miku im”

Bideni i shprehu admirim Netanyahut ndërsa Izraeli kryente gjenocid në Gaza: “Të admiroj, miku im”

Ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu “Të admiroj” dhe vlerësoi “guximin” e tij gjatë telefonatës së tyre të fundit, sipas një shkrimi të publikuar të mërkurën në mbrëmje nga gazeta izraelite “Jerusalem Post”, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Telefonata u zhvillua më 15 janar 2025, pesë ditë para se Bideni të largohej nga Shtëpia e Bardhë. Pikërisht atë ditë u njoftua arritja e marrëveshjes për armëpushim dhe shkëmbimin e të burgosurve mes Izraelit dhe Hamasit.

Në kohën e telefonatës, lufta gjenocidale e Izraelit në Rripin e Gazës kishte shkaktuar tashmë vrasjen e dhjetëra mijëra palestinezëve. Sipas transkriptit, Bideni i tha Netanyahut: “Je njeri i mirë”, duke shtuar: “E di që kemi pasur mosmarrëveshje herë pas here, por, e di… unë ende të dua, miku im”.

Ai tha se nuk e dinte se si Netanyahu kishte arritur “t’i bënte të gjitha këto”. “U desh shumë guxim për të bërë atë që bëre”, citohet të ketë thënë Bideni, sipas gazetës.

Këto vlerësime bien në kundërshtim me përmbajtjen e librit të kujtimeve të Bidenit, “Promise Me, America”, i cili u publikua të martën. Në libër, ai e akuzon Netanyahun se ka “prirje të ngjashme me Trumpin” dhe se “i përshtat institucionet demokratike për t’u shërbyer interesave të tij personale”.

Pjesë të librit të publikuara javën e kaluar nga “The Wall Street Journal” treguan se Bideni e akuzonte Netanyahun se kishte shpërfillur vazhdimisht thirrjet e Uashingtonit për të ulur numrin e viktimave civile në Gaza. Bideni shkroi se Netanyahu bënte premtime të cilat nuk kishte pasur kurrë ndërmend t’i përmbushte.

Transkripti u publikua në një kohë kur Bideni, përmes librit të tij të kujtimeve, përpiqej të distancohet nga veprimet e Izraelit në Gaza, megjithëse administrata e tij vazhdoi të furnizonte Izraelin me armë dhe t’i ofronte mbështetje diplomatike gjatë gjithë luftës.

Në maj të vitit 2024, Bideni pezulloi një dërgesë bombash të rënda dhe paralajmëroi se Uashingtoni do të ndalonte furnizimin me armë në rast të një ofensive të gjerë izraelite në Rafah, ku ishin strehuar më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur.

Megjithatë, pezullimi përfshinte vetëm një dërgesë të vetme ndërsa furnizimet e tjera amerikane me armë vazhduan dhe Izraeli nisi ofensivën tokësore në Rafah po atë muaj.

Dy liderët kishin mospajtime lidhur me të ardhmen e territoreve të pushtuara palestineze. Netanyahu kundërshtoi krijimin e një shteti palestinez dhe këmbënguli që Izraeli të mbante kontrollin e sigurisë mbi të gjitha territoret në perëndim të lumit Jordan.

Izraeli shkeli armëpushimin e janarit 2025 në mars të po atij viti dhe rifilloi ofensivën në Gaza. Një armëpushim i dytë hyri në fuqi në tetor 2025. Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë mbi 74.700 palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë ndërsa mbi 176 mijë të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Më shumë se 1.600 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të tetorit 2025, sipas kësaj ministrie. Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarrest për Netanyahun nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një proces gjyqësor për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me luftën në enklavën palestineze.

MARKETING