Biden: Nga Zelenskyy kemi marrë garanci se avionët F-16 nuk do përdoren për të hyrë në Rusi

Biden: Nga Zelenskyy kemi marrë garanci se avionët F-16 nuk do përdoren për të hyrë në Rusi

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, njoftoi se nga homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy kanë marrë garanci absolute se avionët F-16 nuk do të përdoren për të hyrë në territoret ruse, raporton Anadolu.

Biden mbajti një konferencë për shtyp pas Samitit të Liderëve të G7-s, i cili u mbajt në Hiroshima të Japonisë dhe përfundoi sot.

Lidhur me planin e SHBA-së për t’i dhënë Ukrainës avionë F-16, Biden tha se Ukraina aktualisht ka nevojë për këto avionë.

Ndaj pyetjes së një gazetari nëse Ukraina do t’i përdorë apo jo këto avionë për të sulmuar Rusinë, Biden u përgjigj: “Nga Zelenskyy kam marrë garanci absolute se avionët F-16 nuk do të përdoren për të hyrë në territoret ruse. Por mund t’i përdorin në vendet ku ndodhen rusët në territoret e Ukrainës”.

– Marrëdhëniet me Kinën

Në anën tjetër, Biden vlerësoi marrëdhëniet me Kinën dhe tha se kanalet e komunikimit me këtë vend duhet të mbahen të hapura.

Duke theksuar se më parë me homologun kinez Xi Jinping u shënuan përparime në marrëdhënie, Biden tha: “Më pas ndodhi ngjarja ‘çmenduri’ e balonës dhe këto kanale u mbyllën. Besoj se së shpejti do të shihni se akulli do të shkrihet”.​​​​​​​

MARKETING