Besimtarët muslimanë në vendet e rajonit falin namazin e Kurban Bajramit

Muslimanët në vendet e Ballkanit e kanë pritur me entuziazëm Kurban Bajramin, raporton Anadolu.
MARKETING
Mijëra muslimanë në vendet e rajonit u dyndën në xhami në orët e mëngjesit për të falur namazin e Bajramit.
Besimtarët muslimanë janë mbledhur nëpër sheshe dha xhami në kryeqytetet e vendeve të rajonit, por edhe në xhamitë e qyteteve të tjera, për t’u bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të një ndër festave më të mëdha të fesë islame.
– Maqedoni e Veriut
Ashtu si në shumë qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, edhe në Shkup, mijëra besimtarë u mblodhën nëpër xhami për të falur namazin e Bajramit.
Manifestimi qendror për faljen e këtij namazi u organizua nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI) dhe u mbajt në Xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup. Gjatë ceremonisë u recituan ajete nga Kurani dhe u kënduan ilahi në disa gjuhë.
– Kosovë
Edhe xhamitë në mbarë Kosovën u mbushën në orët e hershme nga besimtarët për faljen e namazit të Kurban Bajramit.
Manifestimi qendror i Bashkësisë Islame të Kosovës është mbajtur në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih”, në Prishtinë.
– Shqipëri
Ndërkaq, ceremonia qendrore për namazin e Bajramit në Shqipëri është mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.
Pjesë e ceremonisë qendrore në Tiranë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja.
Edhe në sheshet dhe xhamitë e qyteteve të tjera të Shqipërisë janë mbajtur programe për Kurban Bajramin.
– Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Mal i Zi
Ndërkohë, Xhamia Gazi Husrev Bej, një trashëgimi osmane në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, priti qindra muslimanë që erdhën për të falur namazin e Bajramit.
Po ashtu, Xhamia Bajrakli, e vetmja xhami në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, ishte gjithashtu e mbushur me muslimanë që erdhën për faljen e namazit të Bajramit.
Në Podgoricë, kryeqytetin e Malit të Zi, muslimanë të shumtë falën namazin me rastin e festës në Xhami Osmanagiq.
Pas namazit, përveç vizitave tradicionale tek të afërmit dhe gëzimi i fëmijëve me dhurata, Kurban Bajrami karakterizohet me therjen e kafshëve në shenjë devotshmërie ndaj Zotit, një ritual që buron që nga koha e profetëve Ibrahimit dhe Ismailit.