Beqiri dhe Zejnullai: Duhet të vrapojmë shumë, nëse duam të marrim rezultat pozitiv
Shkëndija e Tetovës nesër e pret një sfidë e re në Ligën e Konferencës, aty ku në Shkup do të përballet me Jegallonian e Polonisë.
Para kësaj sfide nga tabori i kuqezi, para gazetarëve në konferencën zyrtare ka folur trajneri Jeton Beqiri dhe futbollisti Arbin Zejnullai.
“Kemi analizuar kundërshtarin, bisedohet për një skuadër që është shumë cilësore, një ekip që është dominuese në kampionatin polak, një kampionat shumë i fortë dhe shumë fizik. Edhe pse në dy ndeshjet e fundit kanë pësuar humbje, megjithatë bisedohet për një kundërshtar në të cilin ne duhet ta respektojmë shumë dhe gjithsesi se do ta respektojmë, por zakonisht në Shkup tregojmë ndeshje të mira, si në kampionat dhe në Europë, ku shpresoj që me angazhimin maksimal të futbollistëve, duke e respektuar kundërshtarin, edhe pse sipas meje ata e kanë rolin e favoritit në letër, besoj se mund të dalim me rezultat pozitiv në fund të ndeshjes”, ka thënë Jeton Beqiri.
Ndërkohë, mesfushori Arbin Zejnullai thotë se duhet të vrapojnë shumë për të arritur rezultat pozitiv, teksa pret edhe mbështetjen e tifozëve “Ballistët” për këtë ndeshje.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë, pasi është privilegj për të gjithë ne të përfaqësojmë Shkëndijë dhe veten në fazën kryesore të Conference League. Kundërshtarin pak a shumë e njohim, pasi e kemi analizuar këto ditë. Janë skuadër e fortë, janë ekip fizik dhe ne duhet të ua kthejmë me vrapim, ku në fund besoj që do të dalim me rezultat pozitiv. Normalisht edhe futbolli në përgjithësi është vrapim. Kush do që do ti fitojë duelet në mesfushë, kush do ta kërkojë fitoren ma shumë, besoj që në fund do të dale i kënaqur. Fillimisht i falenderoj për përkrahjen që na i japin gjithmonë. Normalisht ata janë një shtytje dhe një forcë për ne dhe i ftoj nesër që të jenë sa më shumë në stadium”, ka thënë Zejnullai.

