Belgjika regjistron valën më vdekjeprurëse të të nxehtit që nga viti 2000

Belgjika regjistron valën më vdekjeprurëse të të nxehtit që nga viti 2000

Belgjika regjistroi 1.747 vdekje më shumë se sa pritej gjatë valës së të nxehtit që zgjati nga 18 qershori deri më 1 korrik, duke e bërë atë valën më vdekjeprurëse të të nxehtit në vend që nga fillimi i gjurmimit të vdekshmërisë së tepërt në vitin 2000, sipas institutit belg të shëndetësisë “Sciensano”, transmeton Anadolu.

Vdekshmëria e tepërt gjatë kësaj periudhe arriti në 47.8 për qind, deklaroi “Sciensano”. Valonia regjistroi vdekshmërinë më të lartë të tepërt me 76 për qind, e ndjekur nga Brukseli me 60.9 për qind dhe Flamania me 31.4 për qind.

Instituti tha se mbetet ende e paqartë se pse vdekshmëria e tepërt ishte më e lartë në Valoni. Dita më vdekjeprurëse e valës së të nxehtit ishte 27 qershori, kur vdekshmëria e tepërt arriti në 146.5 për qind, gjë që përfaqëson 641 vdekje shtesë.

“Sciensano” bëri të ditur se vala e të nxehtit pati ndikim të rëndësishëm te njerëzit nën moshën 65 vjeç, ku vdekshmëria e tepërt në këtë grupmoshë arriti në 61.3 për qind ose 280 vdekje më shumë se sa pritej.

“Kjo tregon se efektet e të nxehtit mund të prekin gjithkënd”, tha instituti i shëndetësisë.

“Sciensano” e përshkroi këtë episod si një valë “të jashtëzakonshme” të të nxehtit dhe më të rëndën si në përqindje ashtu edhe në shifra absolute që kur filloi gjurmimi i vdekshmërisë së tepërt në vitin 2000.

Instituti ia atribuoi numrin e lartë të viktimave kohëzgjatjes së valës së të nxehtit, temperaturave të larta të qëndrueshme dhe përqendrimeve të rritura të ozonit.

MARKETING