BE synon forcimin e Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes
Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka deklaruar se blloku evropian ka rënë dakord të forcojë Agjencinë Evropiane të Mbrojtjes (EDA), transmeton Anadolu.
“Ministrat sot ranë dakord të forcojnë EDA-n me struktura të posaçme për inovacion dhe eksperimentim. Puna do të vazhdojë për ta forcuar agjencinë edhe më tej, gjithashtu në fushën e prokurimeve të përbashkëta”, tha Kallas në një konferencë për media pas takimit të ministrave të mbrojtjes në Bruksel.
Ajo theksoi se inovacioni në mbrojtje duhet të bëhet prioritet politik.
“Ngushtica e Hormuzit ndodhet në një zonë gri mes luftës dhe paqes. Ne mbështesim të gjitha nismat diplomatike për të gjetur një rrugëdalje dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Mbyllja e rrugës më të rëndësishme detare në botë është e papranueshme”, tha Kallas.
Ajo theksoi “rolin jetik” që operacionet detare rajonale të BE-së mund të luajnë në rikthimin e rrjedhës së energjisë dhe tregtisë.
Ajo shtoi se kontributi i Operacionit Aspides në mbrojtjen e transportit detar në Detin e Kuq mund të zgjerohet edhe në Ngushticën e Hormuzit përmes ndryshimit të planit operacional. Operacioni Aspides është përgjigjja e BE-së ndaj sulmeve të Houthive në Detin e Kuq.
“Rusia po përgatitet për një përballje afatgjatë me Perëndimin. Nëse Putin do të guxojë të testojë mbrojtjen evropiane, kjo varet vërtet nga ne. Parandalimi funksionon nëse është i besueshëm; shfaqja e dobësisë vetëm fton agresion”, tha ajo.
Duke paralajmëruar se prodhimi i industrisë së mbrojtjes në Evropë ende nuk është në nivelin e nevojshëm, Kallas u bëri thirrje vendeve anëtare të vendosin më shumë financime në dispozicion dhe kërkoi përshpejtim të prodhimit të armëve, si dhe furnizim më të lirë dhe më të shpejtë, për të mbyllur boshllëqet në kapacitete.

