BE kërkon zgjidhje për zhbllokimin e fondeve për Hungarinë

BE kërkon zgjidhje për zhbllokimin e fondeve për Hungarinë

Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për të ndihmuar Hungarinë të zhbllokojë miliarda euro nga fondet e Bashkimit Europian, duke planifikuar dërgimin e një delegacioni zyrtarësh të lartë në Budapest javën e ardhshme.

Brukseli ka paralajmëruar më herët se Hungaria rrezikon të humbasë paketën e plotë prej rreth 10 miliardë eurosh nga fondet e rimëkëmbjes nëse nuk përmbush kushtet e përcaktuara deri në afatin e gushtit. Megjithatë, Komisioni ka lënë të hapur mundësinë që vendi të përfitojë grante, por jo kredi.

Një nga opsionet që po shqyrtohet është përdorimi i bankës shtetërore të investimeve Exim Bank për të kanalizuar fondet, megjithëse Brukseli shpreh shqetësim se një skemë e tillë mund të ulë mbikëqyrjen e BE-së mbi procesin, e cila konsiderohet thelbësore për shkak të çështjeve të sundimit të ligjit.

Sipas rregullave aktuale, Hungaria mund të marrë vetëm pagesa paraprake nëse përmbush kriteret e vendosura nga Komisioni. Megjithatë, përfshirja e bankës së investimeve mund të lehtësojë shpërndarjen e fondeve edhe nëse jo të gjitha kushtet janë përmbushur paraprakisht.

Sipas burimeve pranë dosjes në Bruksel, Hungaria mund të marrë pagesat e para të fondeve të rimëkëmbjes në fund të vjeshtës, pas dorëzimit të një kërkese zyrtare për pagesë në Komisionin Evropian.

MARKETING