BE i vjen në ndihmë Ukrainës, do të trajnojë 15 mijë ushtarë

BE i vjen në ndihmë Ukrainës, do të trajnojë 15 mijë ushtarë

Bashkimi Evropian është zotuar të trajnojë edhe 15 mijë ushtarë ukrainas, ka njoftuar shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell.

“Rusia e ktheu luftën në Evropë, por Ukraina po vazhdon të luftojë”, shkroi ai në Twitter.

“Gëzohem t’i njoftoj kryeministrit Denys Shmyhal se Misioni i Ndihmës Ushtarake të BE-së do të trajnojë 15 mijë ushtarë ukrainas shtesë, duke e çuar numrin total të personelit të trajnuar të EUMAM në 30 mijë”, pohoi ai.

Trupat do të marrin trajnime të specializuara, si dhe “udhëzime teknike” për pajisje të reja, duke përfshirë tanket Leopard 2 – automjete të prodhimit gjerman që u miratuan së fundmi nga Berlini për t’u dërguar në Ukrainë.

Programi, i cili filloi zyrtarisht në muajin nëntor, synon të rrisë aftësinë ushtarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës për t’i lejuar ato të mbrojnë vendin e tyre kundër Rusisë.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale.

 

MARKETING