BDI: Vonesat në Korridorin 8 i kushtuan vendit 60.77 milionë euro grant nga BE-ja
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzon qeverinë se ka humbur një grant prej 60.77 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, mjete të pakthyeshme të destinuara për ndërtimin e seksionit të tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë.
Në një konferencë për media, Bekim Rexhepi e cilësoi këtë si një dështim serioz, duke vlerësuar se vendi ka humbur një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës dhe ekonomisë.
Sipas Rexhepit, humbja e grantit nuk është çështje interpretimi politik, por, siç tha ai, bazohet në dokumentet zyrtare që qeveria i ka dorëzuar Kuvendit. Ai deklaroi se fondet IPA nuk janë më të disponueshme pasi tenderi i shpallur gjatë vitit 2024 është anuluar dhe kontrata për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës nuk është nënshkruar brenda afatit të paraparë.
Rexhepi rikujtoi se në fund të vitit 2023, kur BDI ishte pjesë e qeverisë, ishte siguruar një paketë financiare prej rreth 560 milionë eurosh për realizimin e projektit. Sipas tij, paketa përfshinte 175 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, 175 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 149 milionë euro grant nga WBIF dhe 60.77 milionë euro grant IPA nga Bashkimi Evropian.
Ai tha se ky financim ishte rezultat i bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe angazhimit për ta vendosur Korridorin 8 ndër prioritetet strategjike të vendit. Sipas tij, BDI kishte paralajmëruar më herët se zvarritja e procedurave mund të çonte në humbjen e fondeve.
Në konferencë u theksua gjithashtu se Korridori 8 është pjesë e rrjetit strategjik të transportit të Bashkimit Evropian dhe ka rëndësi të veçantë edhe për NATO-n, pasi lidh Detin Adriatik me Detin e Zi dhe konsiderohet projekt me ndikim në zhvillimin ekonomik dhe sigurinë rajonale.
BDI vlerëson se vonesat në realizimin e projektit dhe humbja e fondeve evropiane ngrenë pikëpyetje për qasjen e qeverisë ndaj projekteve strategjike me orientim euroatlantik.
Në fund të konferencës, Rexhepi kërkoi sqarime nga qeveria se kush mban përgjegjësi për humbjen e grantit prej 60.77 milionë eurosh, pse nuk janë respektuar afatet për realizimin e projektit dhe nëse kostoja që ishte planifikuar të mbulohej nga Bashkimi Evropian do të duhet tani të financohet nga buxheti i shtetit.
Ai theksoi se BDI do të vazhdojë të mbështesë realizimin e Korridorit 8 dhe orientimin euroatlantik të vendit, duke e cilësuar projektin si një interes strategjik shtetëror dhe jo si çështje partiake.

