BDI: Skandal, komuna e Tetovës dhe Qeveria e lanë pa mbrojtje emërtimin shqip të rrugëve dhe shesheve në Tetovë
Arsyetimi i publikuar nga Gjykata Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore në Komunën e Tetovës zbulon një skandal të rëndë institucional, thuhet në reagimin e BDI-së.
“Nga vetë arsyetimi i Gjykatës rezulton se:
* Gjykata Kushtetuese katër herë i është drejtuar Komunës së Tetovës për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për mbrojtjen e vendimit;
* Gjykata Kushtetuese tri herë i është drejtuar Qeverisë për të dorëzuar pëlqimin dhe dokumentacionin përkatës.
As Komuna e Tetovës dhe as Qeveria nuk e kanë bërë këtë.
Pra, në shtatë raste, institucionet e udhëhequra nga VLEN dhe VMRO-DPMNE nuk kanë ndërmarrë as hapin më elementar për mbrojtjen e emrave shqiptarë të rrugëve dhe shesheve të Tetovës.
Kjo është papërgjegjësi politike”, thinë nga BDI.
Sipas tyre, është e papranueshme që Komuna e Tetovës, e cila për muaj të tërë e dinte se po zhvillohej procedura në Gjykatën Kushtetuese, të mos dorëzojë dokumentacionin e kërkuar as pas katër kërkesave zyrtare.
“Po aq e papranueshme është heshtja e Qeverisë, e cila edhe pas tri kërkesave të Gjykatës nuk ka dorëzuar dokumentacionin përkatës.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë:
* Kush vendosi që Komuna të mos e mbrojë vendimin?
* Kush vendosi që Qeveria të heshtë?
* A ishte kjo paaftësi, neglizhencë apo vendim i vetëdijshëm politik?
Në vend që të mbrojnë një vendim që për dy dekada ka qenë pjesë e identitetit urban të Tetovës, institucionet zgjodhën të mos veprojnë.
Pasojat e kësaj mosveprimi sot i paguajnë qytetarët e Tetovës.
BDI vlerëson se përgjegjësia politike për këtë regres është e pashmangshme dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga Komuna e Tetovës dhe Qeveria për mosmbrojtjen e vendimit për emërtimin e rrugëve dhe shesheve shqiptare në Tetovë”, kanë thënë nga BDI.

