BDI: Qeveria po vazhdon me largimin e organizuar dhe sistematik të gjuhës shqipe nga sistemi shtetëror

Nga BDI në një kumtesë për media thonë se “shprehin shqetësim të thellë ndaj zhvillimeve të fundit, me të cilat Qeveria, sipas tyre, përmes një sërë hapash institucionalë, po e largon në mënyrë sistematike gjuhën shqipe nga sfera publike”.
MARKETING
Nga BDI thonë se Gjykata Kushtetuese është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Paralelisht, Inspektorati për zbatimin e ligjit është faktikisht i bllokuar, i është marrë autonomia, inspektorët nuk marrin pagë tash e gjashtë muaj dhe nuk kanë kushte bazë për punë, përfshirë edhe qasjen në automjetet zyrtare. Vetë drejtori, i emëruar nga Qeveria, publikisht pranoi se automjetet përdoren për nevojat e tij personale, ndërsa institucioni nuk funksionon”.
“Skandali u thellua nga vetë Ministri për marrëdhënie mes etnive, Stoilkovic, i cili dje deklaroi se do ta shkarkojë drejtorin e Inspektoratit, jo për mosfunksionim, por për t’ia treguar vendin inspektoratit. Kjo deklaratë është shfaqje e drejtpërdrejtë e presionit institucional dhe e poshtërimit ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe”.
“U bëjmë thirrje të gjithë faktorëve shoqërorë shqiptarë, përfshirë edhe mbetjet e VLEN-it që kanë mbetur pjesë e Qeverisë, të marrin përgjegjësi ndaj votuesve shqiptarë dhe të kundërshtojnë qartë këto kërcënime sistematike ndaj gjuhës shqipe. Gjuha shqipe nuk është privilegj politik, ajo është kategori kushtetuese dhe pjesë e themeleve të Marrëveshjes së Ohrit”, thonë nga BDI.