BDI: Pesë fëmijë të vde’kur në më pak se dy muaj, kërkojmë përgjegjësi
Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate me shkrim ka reaguar ndaj rastit të fundit të vdekjes së një foshnje tjetër, e pesta në më pak se dy muaj, duke kërkuar përgjegjësi.
Në vazhdim komunikata e plotë e Bashkimit Demokratik për Integrim:
Vdekja e një tjetër fëmije të pafajshëm në Klinikën Universitare për Fëmijë është një tragjedi që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.
Kjo është hera e pestë që dëgjojmë për humbjen e një jete të re, brenda dy muajve ndërsa sistemi shëndetësor është lënë në autopilot dhe ministri i Shëndetësisë merret me agjenda të partisë.
Nga një intervistë në tjetrën, ministri është më shumë në lojra partiake se në ministri, ndërsa më të dashurit tanë po paguajnë çmimin e paaftësisë dhe neglizhencës.
Kjo ka kaluar çdo kufi të humanes dhe të pranueshmes.
Në emër të përgjegjësisë ndaj qytetarëve, kërkojmë menjëherë dorëheqjen e drejtorit të Klinikës dhe ministrit të Shëndetësisë.
Mospërgjegjësia dhe paaftësia e paprecedentë po kushtojnë jetë të fëmijëve tanë më të dashur. Ky është një alarm që nuk mund të injorohet më!