BDI: Ministeriali i OSBE-së në Shkup – Ngjarja më e madhe dhe më e organizuar në historinë e vendit tonë

Bashkimi Demokratik për Integrim, sot përmes kumtesës së publikuar, ka theksuar se ngjarja më e madhe dhe më e organizuar në historinë e Maqedonisë së Veriut, mbetet të jetë Ministeriali i OSBE-së që ka ndodhur në vitin 2023, periudhë kjo, kur Ministër i Punëve të Jashtme i vendit tonë ka qenë Bujar Osmani.
Kumtesa e plotë e Bashkimit Demokratik për Integrim:
Ministeriali i OSBE-së 2023 ishte ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme ndërkombëtare e organizuar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut një aktivitet që mblodhi ministra të jashtëm dhe delegacione nga e gjithë hapësira e OSBE-së, duke e vendosur vendin tonë në qendër të diplomacisë botërore për tre ditë.
Ishte një aktivitet i vlerësuar nga çdo partner dhe institucion ndërkombëtar, i përshkruar si i përkryer në organizim dhe si një moment që na bëri krenarë të gjithë qytetarët.
Të gjitha organet shtetërore përgjegjëse përfshirë ato të mbikëqyrjes kanë konfirmuar ligjshmërinë, transparencën dhe zbatimin shembullor të tij.
Përpjekjet e VLEN për të shpifur nuk janë gjë tjetër veçse keqdashje dhe xhelozi politike.
E vërteta është e thjeshtë:
Maqedonia e Veriut priti botën dhe realizoi një aktivitet që do të mbahet mend si triumf diplomatik dhe organizativ.
Ky sukses i takon qytetarëve, institucioneve dhe çdo personi që punoi me përkushtim për të treguar më të mirën e vendit tonë.
E kuptojmë se për ata që nuk kanë organizuar kurrë asgjë me vlerë ndërkombëtare, është më e lehtë të shpifin sesa të pranojnë realitetin.
Por faktet mbeten fakte dhe asnjë zhurmë politike nuk mund të fshijë një histori suksesi kombëtar.
Fushata e shpifjeve e VLEN nuk është sulm ndaj një personi është fyerje për çdo zyrtar, vullnetar e qytetar që kontribuoi që Ministeriali i OSBE-së të jetë burim krenarie për Maqedoninë e Veriut.