BDI: Mickoski po rrezikon karakterin unitar dhe integrues të shtetit

BDI: Mickoski po rrezikon karakterin unitar dhe integrues të shtetit

“Duke goditur shtyllat kryesore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit – gjuhën, balancuesin, përfaqësimin e drejtë dhe legjitimitetin, inspektoratin e gjuhës, kryeministri Mickoski po rrezikon vetë karakterin unitar dhe integrues të shtetit”, thuhet në reagimin e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Nga BDI kritikojnë deklaratat dhe veprimet e Mickoskit, pasi sipas tyre i njejti po vepron në mënyrë që cënon standardin dhe përgjegjësinë që kërkohet nga një udhëheqës shteti.

Reagimi i plotë i BDI-së:

Kryeministri Mickoski, me sjelljen, deklaratat dhe veprimet e tij, po vepron në mënyrë që cënon standardin dhe përgjegjësinë që kërkohet nga një udhëheqës shteti.

Një sjellje që mund t’i falet ndoshta një kryetari të një dege partie, por kurrsesi një kryeministri të një shteti multietnik.

Ai po rrënon gjithçka që është ndërtuar me përpjekje dhe përkushtim ndër vite – marrëdhëniet ndëretnike, besimin ndërmjet qytetarëve, lojalitetin dhe ndjenjën e përkatësisë së përbashkët.

Duke goditur shtyllat kryesore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit – gjuhën, balancuesin, përfaqësimin e drejtë dhe legjitimitetin, inspektoratin e gjuhës – ai po rrezikon vetë karakterin unitar dhe integrues të shtetit.

Prandaj sot pyesim me seriozitet:

Nëse synoni të rrëzoni Marrëveshjen e Ohrit – cila është alternativa?

Sepse në politikë nuk ka vakum. Nëse angazhoheni kaq ashpër kundër marrëveshjes që solli paqe, integrim, decentralizim dhe shtet unitar, atëherë duhet të tregoni hapur se çfarë ofroni në vend të saj.

Qytetarët po pyesin. Dhe gjithnjë e më shumë po shqetësohen.

Nëse ka ndryshim të qëllimshëm të kursit shtetëror, atëherë është koha për një debat të hapur dhe të sinqertë se cila është alternativa e MO-së.

Sepse ne nuk mund të mbajmë pafundësisht mbi supe përgjegjësinë për papërgjegjshmërinë e tij.

MARKETING