BDI: Marrëveshja e Ohrit, garancia e barazisë dhe e një të ardhmeje stabile

Sonte në Shkup, nën patronazhin e Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim, u mbajt Akademi Solemne për 24 vjetorin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Në kumtesën e BDI-së, thuhet se MO, është dokument historik ku mbrohet stabiliteti dhe e ardhmja e shtetit.
Kumtesa e plotë e Bashkimit Demokratik për Integrim:
Në Akademinë Solemne për 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, theksoi se ky dokument historik është themeli i paqes, stabilitetit dhe integrimit europian të vendit.
Ai rikujtoi se pa shqiptarët nuk mund të ketë shtet të qëndrueshëm dhe me perspektivë, ndërsa të gjitha komunitetet kanë përgjegjësi në ndërtimin e së ardhmes së përbashkët. Ahmeti përsëriti thirrjen për një proces vetingu për të pastruar institucionet dhe për të garantuar politikë me integritet.
“Me nënshtrim e vasalitet nuk mbahet shteti, ne jemi për paqe, dialog dhe drejtësi,” u shpreh Ali Ahmeti, duke shtuar se Aleanca Kombëtare për Integrim dhe shqiptarët mbeten garanci e barazisë dhe vizionit europian të vendit.
BDI do të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit dhe vlerat e saj, si themel i stabilitetit dhe i dinjitetit të qytetarëve.