BDI: Institucionet nuk guxojnë të shndërrohen në instrumente presioni politik
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar me shqetësim ndaj, siç e cilëson, rasteve të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe institucioneve publike për ushtrim presioni mbi të punësuarit në administratë.
Në një deklaratë publike, BDI thotë se po ndjek me vëmendje të shtuar çdo rast që, sipas saj, përfshin kërcënime, shantazhe apo forma diskriminimi ndaj punonjësve të institucioneve publike, duke i krahasuar këto praktika me periudha të monizmit dhe regjimit të Millosheviçit.
Partia thekson se është e papranueshme që në një shtet demokratik qytetarët dhe të punësuarit të vihen në shënjestër për shkak të bindjeve politike ose refuzimit për t’iu nënshtruar interesave partiake të individëve të caktuar. Sipas BDI-së, administrata publike duhet të funksionojë mbi parimet e profesionalizmit, ligjshmërisë dhe trajtimit të barabartë, dhe jo të shndërrohet në mjet për hakmarrje politike.
BDI paralajmëron gjithashtu se çdo përpjekje për të frikësuar apo ndëshkuar profesionistët në institucionet publike do të dokumentohet dhe do të denoncohet para opinionit publik dhe organeve kompetente.
Në fund të deklaratës, partia thekson se institucionet u përkasin qytetarëve dhe jo partive politike, duke shtuar se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të çdo qytetari që, sipas saj, përballet me padrejtësi, presion apo diskriminim politik.

