BDI i reagon Mickoskit: Sulmet ndaj BDI-së nuk janë asgjë tjetër veçse përpjekje për të mbuluar paaftësinë e qeverisë për t’u përballur me marrëdhëniet ndëretnike të dëmtuara seriozisht

BDI i reagon Mickoskit: Sulmet ndaj BDI-së nuk janë asgjë tjetër veçse përpjekje për të mbuluar paaftësinë e qeverisë për t’u përballur me marrëdhëniet ndëretnike të dëmtuara seriozisht

Kryeministri Mickovski e konfirmon paaftësinë e tij përmes sulmeve ndaj vlerave themelore të shtetit.
Deklaratat e sotme të kryeministrit Mickovski jo vetëm që i tejkalojnë të gjitha kufijtë demokratikë dhe politikë, por zbulojnë një të vërtetë të vetme – paaftësinë e tij për ta udhëhequr shtetin dhe për t’u ofruar zgjidhje të vërteta qytetarëve. Kështu thuhet në reagimin e BDI-së, ndaj deklaratave të kryeministrti.
“Kur një kryeministër e përdor ndikimin e tij për të demonizuar kundërshtarët politikë, në vend që të trajtojë krizat reale, kjo është një alarm për të gjithë shoqërinë.
Sulmet ndaj BDI-së nuk janë asgjë tjetër veçse përpjekje për të mbuluar paaftësinë e qeverisë për t’u përballur me marrëdhëniet ndëretnike të dëmtuara seriozisht, inflacionin në rritje, dështimin në integrimet evropiane dhe prapambetjen e vazhdueshme të shtetit.
Kjo është një strategji dobësie – të krijosh një armik atje ku nuk ekziston, për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale.
Por qytetarët nuk janë naivë.
Ata shohin se si kryeministri e shfrytëzon kohën dhe burimet e shtetit për revanshe personale, ndërkohë që shkollat, spitalet dhe ekonomia po shkojnë drejt greminës.
Kryeministri Mickovski duket se i ka ngatërruar kompetencat e tij.
Në vend që të kujdeset për standardin dhe perspektivën e qytetarëve, ai vendoset në rolin e prokurorit dhe gjykatësit njëkohësisht, duke shpallur fajtorë pa pasur ende një proces ku të dëshmohet fajësia ose pafajësia.
Kjo jo vetëm që është në kundërshtim me parimet demokratike, por tregon gjithashtu një prirje të rrezikshme për të kapur institucionet për qëllime personale.
Rreziku më i madh i retorikës së Mickovskit është se ajo synon në mënyrë të drejtpërdrejtë të minojë Marrëveshjen e Ohrit – bazën e stabilitetit, paqes dhe së ardhmes së Maqedonisë.
Fjalët e tij nuk janë thjesht sulme politike; ato janë sulme ndaj vizionit të përbashkët të të gjithë qytetarëve për një Maqedoni evropiane.
Në vend që të jetë kryeministër për të gjithë, Mickovski zgjedh të jetë kryeministër i përçarjeve dhe urrejtjes.
Pretendimet për “radikalizim” dhe “militarizim” të BDI-së janë aq të pavërteta dhe të tejdukshme sa që edhe mbështetësit e tij i shohin përmes tyre.
Kjo është një taktikë klasike e politikanëve që nuk kanë rezultate – të krijojnë skenarë të rremë krizash dhe të përdorin institucionet për përndjekje politike.
Por, zoti kryeministër, manipulimet tuaja kanë një kufi.
Maqedonia e Veriut nuk është lodra juaj dhe qytetarët nuk janë ushtarët tuaj.
Parimet demokratike që po i minoni sot do t’ju arrijnë nesër, sepse qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e duhur.
BDI nuk do të lejojë të bëhet viktimë e taktikave tuaja.
Ne mbetemi të vendosur në paqen, stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë.
Ata që punojnë kundër këtyre qëllimeve do të identifikohen dhe dënohen nga qytetarët, të cilët kërkojnë unitet, e jo përçarje.
Zoti Mickovski, retorika juaj tashmë nuk ka peshë.
Qytetarët e dinë se kush punon për të ardhmen e tyre dhe kush i përdor ata për agjenda personale.
BDI mbetet zëri i stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit. Maqedonia e Veriut do të ecë përpara – me ju ose pa ju”, thonë nga BDI. /SHENJA/

MARKETING