BDI: Edhe në sport diskriminimi dhe përjashtimi etnik me përmasa alarmante

BDI sot përmes një kumtese ka akuzuar qeverinë aktuale se po bënë diskriminim etnik në sport.
Nga atje thonë se kundërshtojnë përbërjen e re të Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë pothuajse tërësisht të përjashtuar nga strukturat drejtuese dhe vendimmarrëse.
“Nga gjithsej 117 anëtarë, vetëm 4 janë shqiptarë, një pasqyrë tronditëse e qasjes diskriminuese që është e papranueshme për një shtet multietnik dhe europian. Edhe më alarmante është mungesa e plotë e shqiptarëve në organet kyçe:
• Bordi Drejtues: 0 shqiptarë nga 11 anëtarë.
• Këshilli Olimpik: 0 shqiptarë nga 11 anëtarë.
• Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (SAS): 0 shqiptarë.
• Komisioni i Etikës: 0 shqiptarë.
• Komisioni i Sportistëve: vetëm 1 shqiptar nga 6 anëtarë.
• Komisioni i Marketingut: vetëm 1 shqiptar nga 6 anëtarë.
• Drejtoria Sportive: vetëm 1 shqiptar nga 5 anëtarë.
• Kuvendi i KOK: vetëm 1 shqiptar nga 25 anëtarë me të drejtë vote.
Në shumicën e komisioneve të tjera: juridike, disiplinë, përfaqësi gjinore, lojëra paraolimpike, shkencë dhe sport, antidoping, financa, e-sport, bord mbikëqyrës dhe komitet për diasporën, përfaqësimi shqiptar është zero”, thonë nga BDI.
Nga atje shtojnë se kjo nuk është vetëm neglizhencë, por pasqyrë e një mentaliteti përjashtues që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, me parimet e barazisë dhe me standardet e shteteve demokratike. Sporti duhet të bashkojë, jo të ndajë; të ndërtojë ura, jo barriera etnike.