BDI: Anëtarët po e lënë VLEN-in, shqiptarët kanë hequr dorë nga gënjeshtrat e Mexhitit

BDI ka reaguar sot përmes një komunikate për media ku mes tjetash thotë “anëtarët po e lënë VLEN-in, shqiptarët kanë hequr dorë nga gënjeshtrat e Mexhitit”.
Më poshtë komunikata e plotë e BDI:
Çdo ditë e re është një humbje e re për VLEN-in. Anëtarë, aktivistë dhe struktura të tëra po largohen, duke lënë pas një koalicion artificial, të zbrazët dhe të diskredituar. Vetëm gjatë këtyre ditëve, anëtarë dhe struktura nga tre komuna u distancuan publikisht nga ky grupim. Kjo është dëshmi e qartë se shqiptarët nuk mund të udhëhiqen me gënjeshtra dhe se politika e ndërtuar mbi interesa personale gjithmonë përfundon me dështim.
Mexhiti dhe rrethi i tij i ngushtë e shndërruan partinë, pa struktura të formuara, në një biznes privat, pa ide dhe pa vizion. Ata që dje besonin se VLEN do të sillte ndryshime, sot po e shohin fytyrën e vërtetë të lakmisë, përçarjes dhe tregtisë me interesat shqiptare.
Shqiptarët dinë ta ndëshkojnë politikën që i nënvlerëson. VLEN është një eksperiment i dështuar politik i Mickoskit dhe qytetarët këtë e kanë kuptuar. Mexhiti po përpiqet ta fshehë katastrofën me sulme dhe deklarata boshe, përmes propagandës proserbe të mikut të tij Stoilkoviq, i cili vetë ka pranuar se në dy-tri raste e ka shpëtuar nga turpi publik. Sidoqoftë, shqiptarët nuk e dëgjojnë më dhe e dinë të vërtetën.
Ndërsa VLEN po shpërbëhet para syve të opinionit, Besëlidhja – Aleanca Kombëtare për Integrim qëndron e fortë dhe mban të bashkuar shqiptarët. Kjo është forca e vërtetë politike që rritet çdo ditë dhe që do ta udhëheqë popullin shqiptar përpara, të bashkuar dhe me dinjitet.
Tetori po afron. Po afron edhe ora e përgjegjësisë politike dhe juridike! Populli në referendum do t’ua japë ndëshkimin!