Banka Botërore: Ekonomia e RMV-së do të shënoj rritje të butë prej 2,1% më 2022 deri në 2,4% më 2023

Banka Botërore: Ekonomia e RMV-së do të shënoj rritje të butë prej 2,1% më 2022 deri në 2,4% më 2023

Ekonomitë e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë kanë tejkaluar nivelet e para-pandemisë përkundër ndikimit negativ nga invazioni i Rusisë në Ukrainë, çmimet më të larta të energjisë dhe ushqimit, kushtet e pafavorshme të motit, kushtet e ngushta financiare dhe pasiguria e rritur, thuhet në Raportin më të ri të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot.

Parashikohet që ekonomia e Maqedonisë së Veriut të shënojë rritje të butë prej 2,1% më 2022 deri në 2,4% më 2023, u theksua në konferencën e sotme për media në Shkup, në të cilën u prezantua Raporti.

Përkundër rimëkëmbjes së shpejtë pas pandemisë, kriza rrjedhëse e shkaktuar nga shpenzimet për jetesë – veçanërisht nga çmimet e larta të ushqimit dhe energjisë – ka shtypur rritjen në vend dhe ka shtyrë inflacionin në nivelin më të lartë në dy dekadat e fundit në rajon, duke bërë presion mbi financat publike në kushte të rritjes së shpenzimeve për huamarrje. Meqë çmimet e mallrave, siç parashikon Banka, në dy vitet e ardhshme pritet të ulen, norma e inflacionit parashikohet të ulet në 9,1 për qind në vitin 2023 dhe në 3 për qind në vitin 2024.

Në periudhën afatmesme, parashikohet përshpejtim i moderuar i rritjes ekonomike. Duke marrë parasysh hapësirën e kufizuar fiskale, mbështetja e qeverisë për mbrojtjen e ekonomisë nga çmimet e larta të energjisë duhet të orientohet më mirë në mënyrë që të nxisë efikasitetin energjetik dhe tranzicionin e gjelbër.

Rreziqet negative për projeksionin janë zvogëluar si rezultat i lehtësimit të pjesshëm të kushteve financiare, por konsolidimi fiskal edhe më tutje mbetet prioritet. Reformat strukturore për të nxitur rritjen e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse afatmesme duhet të mbeten në fokus përpara zgjedhjeve të vitit 2024.

Parashikimet për vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të tregojnë rritje të moderuar të PBB-së në vitin 2023 në rajon, që pritet të arrijë në 2,6 për qind, i nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe eksportet, e në disa vende edhe nga investimet publike”, thuhet në raportin.

Rajoni përballet me sfida për të rimëkëmbur mekanizmat e mbrojtjes në mënyrë që të përgatite për tronditjet që mund të ndodhin në të ardhmen dhe për të ndërmarrë reforma nga ana e ofertës në mënyrë që të hedhen themelet për rritje më të qëndrueshme dhe më të gjelbër.

Sipas Drejtorit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Shiaoçin Ju, Ballkani Perëndimor ka treguar rezistencë të jashtëzakonshme përkundër pengesave të mëdha ekonomike,

“Në mënyrë që të vazhdojnë me përballjen me krizën e shkaktuar nga tronditjet e shumta ekonomike, vendet mund të orientohet drejt reformave me të cilat nxitet produktiviteti në periudhën afatmesme, të tilla si përshpejtimi i integrimit rajonal, rritja e nivelit të konkurrencës në treg, tërheqja e investimeve me cilësore dhe përballje me pengesat që kufizojnë pjesëmarrjen e fuqisë punëtore në tregun e punës, veçanërisht të grave”, bën të ditur ajo.

Ashtu si te ne edhe në të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në vitin 2022, inflacioni u rrit në nivelin më të lartë në dy dekadat e fundit dhe presionet e çmimeve mbetën të larta në fillim të vitit 2023. Nën ndikimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë, tani inflacioni po tregon shenja të ngadalësimit, derisa nxitësit e jashtëm po dobësohen për shkak të rritjes së ngadalësuar globale. Mirëpo, presionet e inflacionit vazhdojnë dhe kërkojnë masa të mëtejshme të politikës monetare.

Sipas raportit, çmimet më të larta kanë prekur veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta, e kjo, së bashku me rritjen më të dobët ekonomike, ka rezultuar në një ritëm shumë më të ngadaltë të reduktimit të varfërisë, përkundër disa përfitimeve nga programet e qeverive për të zbutur krizën energjetike. Kufizimet e mundshme në periudhën e ardhshme përfshijnë kërkesën e jashtme më të ulët, e cila mund të ketë ndikim negativ në të ardhurat e eksportit dhe të kufizojë remitencat, si dhe hapësirën e zvogëluar fiskale, e cila vazhdon të kufizojë mbështetjen që mund t ‘u jepet amvisërive.

“Amvisëritë më të varfra shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të tyre në energji dhe ushqim, dy zëra në shportën e konsumatorit me rritjen më të lartë të çmimeve”, shprehet Sanja Maxhareviq-Shujster, ekonomiste e lartë në Bankën Botërore dhe autore kryesore e raportit.

Sipas saj, kjo do të thotë se rritja e shpenzimeve reale të jetesës me të cilën përballen të varfërit në Ballkanin Perëndimor është shumë më e lartë sesa tregon inflacioni mesatar. Është e rëndësishme, shton Maxhzareviq-Shujster, të merret parasysh ndryshimi në normat e inflacionit te llojet e ndryshme të amvisërive, në mënyrë që të konceptohen politika efektive për të mbrojtur më të rrezikuarit dhe të nxitet rritje ekonomike.

Në raportin bëhet e ditur se përkundër rritjes së punësimit, në gjysmën e dytë të vitit 2022, ritmi i hapjes së vendeve të reja të punës ka humbur fuqinë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Punësimi është zvogëluar më së shumti në bujqësi dhe në administratën publike, ndërsa industria dhe shërbimet, po ashtu, kanë shënuar ngadalësim. Në shtator të vitit 2022, shkalla e punësimit arriti nivelin më të lartë historik prej 47 për qind, pas çka filloi të shënojë rënie.

Në periudhën afatmesme, parashikimet për Ballkanin Perëndimor mbeten pozitive, megjithëse nevojiten reforma për të përshpejtuar drejt një tranzicioni të gjelbër dhe për të trajtuar sfidat strukturore. Kriza rrjedhëse energjetike ka theksuar nevojën për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër në të gjithë Evropën, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Një fushë investimi me potencial për rezultate të rëndësishme ekonomike për Ballkanin Perëndimor është efikasiteti energjetik”, shtohet në raportin. Madje edhe përmirësimi modest në efikasitetin energjetik të ndërmarrjeve do të çonte në reduktim të ndjeshëm të emetimeve të gazrave serrë të lidhura me energjinë, në përmirësimin e përfitimit të ndërmarrjeve, në përfitime të mëdha sociale dhe në mbrojtjen nga tronditjet e ardhshme të çmimeve nga energjia elektrike dhe gazi.

MARKETING