Autoriteti Palestinez dhe Bordi i Paqes diskutojnë për përshpejtimin e përpjekjeve për rimëkëmbjen e Gazës

Autoriteti Palestinez dhe Bordi i Paqes diskutojnë për përshpejtimin e përpjekjeve për rimëkëmbjen e Gazës

Autoriteti Palestinez dhe Bordi i Paqes kanë diskutuar mekanizmat për përshpejtimin e ofrimit të shërbimeve bazë në Rripin e Gazës dhe avancimin e përpjekjeve për ndihmë dhe rimëkëmbje të hershme, përpara fazës së rindërtimit të enklavës, transmeton Anadolu.

Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) njoftoi se diskutimet u zhvilluan gjatë një takimi të zyrës së përbashkët të koordinimit, në margjinat e takimit të donatorëve të Komitetit Ndërlidhës Ad Hoc (AHLC) në Bruksel të hënën.

Në takim morën pjesë kryeministri palestinez, Mohammad Mustafa, i dërguari kryesor i Bordit të Paqes për Gazën, Nikolay Mladenov dhe drejtuesi i NCAG-së, Ali Shaath. Gjithashtu morën pjesë komisari financiar i komitetit, Bashir Al-Rayyis, ministri palestinez i Financave dhe Planifikimit, Estephan Anton Salameh, si dhe këshilltari i kryeministrit, Omar Awadallah.

Sipas njoftimit, pjesëmarrësit shqyrtuan mënyrat për të forcuar koordinimin mes partnerëve palestinezë dhe ndërkombëtarë dhe për të përshpejtuar iniciativat që synojnë rikthimin e shërbimeve bazë, zgjerimin e ndihmës humanitare dhe mbështetjen e rimëkëmbjes së hershme në Gaza.

Zyrtarët theksuan nevojën për një koordinim më të ngushtë mes aktorëve kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar për të garantuar një përgjigje të qëndrueshme ndaj nevojave të popullsisë së Gazës.

Shaath tha se NCAG është gati të marrë menjëherë përgjegjësitë e saj, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që zotimet politike dhe financiare t’i shndërrojë në veprime konkrete dhe financim efektiv për të përmbushur nevojat humanitare dhe zhvillimore të rreth 2.2 milionë palestinezëve në Gaza.

Gjatë takimit të donatorëve, Shaath prezantoi një program gjithëpërfshirës rimëkëmbjeje për enklavën, duke përshkruar kalimin nga ndihma emergjente drejt rimëkëmbjes së hershme dhe rikthimit të shërbimeve thelbësore publike.

Pjesëmarrësit njoftuan gjithashtu nisjen e iniciativës “Ekipi i Gazës”, e cila bashkon më shumë se 12 vende donatore, së bashku me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Botërore, me synim mobilizimin e rreth 1 miliard dollarëve për të mbështetur programin e rimëkëmbjes së Gazës.

NCAG, një trupë teknokratike kalimtare e krijuar në kuadër të Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe planit të paqes me 20 pika të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, zhvilloi takimin e saj inaugurues në Kajro të Egjiptit më 15 janar të vitit 2026.

Faza e parë e planit të Trumpit përfshinte një armëpushim, një tërheqje të pjesshme izraelite, lirimin e pengjeve të mbetura izraelite të mbajtura në Gaza dhe hyrjen e 600 kamionëve me ndihma.

Derisa Hamasi përmbushi detyrimet e tij në fazën e parë duke liruar të burgosurit izraelitë, Izraeli, sipas deklaratës, nuk përmbushi angazhimet humanitare dhe vazhdoi sulmet, duke vrarë 1.123 palestinezë dhe duke plagosur 3.616 të tjerë që nga 10 tetori i vitit 2025.

Faza e dytë përfshin një tërheqje më të gjerë ushtarake izraelite nga Rripi i Gazës, ku Izraeli ende kontrollon më shumë se 70 për qind të territorit, si dhe fillimin e përpjekjeve për rindërtim në këmbim të çarmatimit të fraksioneve palestineze. Megjithatë, sipas deklaratës, Izraeli nuk e ka zbatuar këtë fazë, duke insistuar që çarmatimi të jetë prioritet.

Gaza ka pësuar shkatërrime të mëdha si pasojë e ofensivës dyvjeçare izraelite, e cila, sipas deklaratës, ka vrarë më shumë se 73.000 palestinezë, ka plagosur mbi 173.000 të tjerë dhe ka shkatërruar 90 për qind të infrastrukturës civile të enklavës që nga tetori i vitit 2023.

MARKETING