Autoritetet franceze: I dyshuari për sulmin me thikë në Paris, një i ri afrikan me urdhër për dëbim
I dyshuari për sulmin e djeshëm me thikë në stacionin e trenit në Paris, ku mbetën të plagosur gjashtë persona, është një i ri afrikan që po përballet me dëbimin nga vendi, transmeton Anadolu Agency (AA).
I dyshuari sulmoi me thikë disa persona dje në stacionin e trenit Gare du Nord, duke përfshirë një oficer policie, konfirmoi Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin disa orë pas incidentit.
Ai shtoi se dy oficerë policie qëlluan tre të shtëna dhe arritën të neutralizojnë të dyshuarin, i cili tani ishte “midis jetës dhe vdekjes në spital”.
Mediat lokale citojnë prokuroren e Parisit, Laure Beccuau, të ketë thënë se personi mund të jetë i lindur në Libi ose Algjeri.
Ai u qëllua dy herë në gjoks dhe një herë në krah, shpjegoi Beccuau, duke shtuar se ai ende nuk është intervistuar nga policia për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Sipas një burimi policor të cituar nga e përditshmja franceze La Croix, i dyshuari ka lindur në vitin 2000 dhe mbërriti në Francë tre vjet më parë, ndërsa ka qenë i njohur për policinë për shkelje të vogla.
Ai ishte nën një masë të njohur si detyrimi për t’u larguar nga Franca (OQTF), e cila kërkon që të huajt të largohen nga vendi brenda 30 ditëve.
Gare du Nord, ku ndodhi sulmi, nuk është vetëm stacioni hekurudhor më i ngarkuar i Parisit, por edhe i Evropës, duke shërbyer mbi 292 milionë pasagjerë në vitin 2021.