Australi, trazira në funeralin e kardinalit të akuzuar për ngacmim seksual të fëmijëve
Ndërhyrja e policisë parandaloi përshkallëzimin e trazirave në funeralin e ish-ministrit të Ekonomisë të Vatikanit dhe kardinalit australian George Pell, i cili ishte akuzuar dhe dënuar me vendim të shkallës së parë për ngacmim seksual të fëmijëve, transmeton Anadolu.
Funerali u mbajt në katedralen e Shën Marisë në Sidnej ndërkaq media ABC raportoi se në Hyde Park, i cili ndodhet përballë katedrales, protestuan viktimat e abuzimit seksual dhe familjet.
Aktivistët që protestuan kundër kardinalit Pell brohoritën slogane “Pell, shko në ferr”. Gjithashtu në platonë e katedrales u mblodh edhe një grup mbështetësish të George Pell, nga ku ndoqën funeralin në një ekran të madh.
Në disa raste pati edhe shtyrje dhe përleshje mes grupeve kundërshtare, por policia ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e trazirave.
Në funeral morën pjesë ish-kryeministrat e Australisë, Tony Abbott dhe John Howard si dhe lideri i opozitës australiane Peter Dutton dhe zyrtarë të shumtë të qeverisë. Ceremonia mortore u drejtua nga kryepeshkopi Anthony Fisher.
Duke folur në ceremoni, kryepeshkopi Fisher tha se akuzat për abuzim seksual të fëmijëve ishin pjesë e një fushate mediatike, policore dhe politike. Kryepeshkopata Katolike e Sidnejit tha se rreth 2.000 persona morën pjesë në funeral.
Ish-ministri i Ekonomisë së Vatikanit dhe kardinali australian George Pell është i njohur për publikun e gjerë për shkak të akuzave për ngacmim seksual të fëmijëve.
Më 12 dhjetor 2018, juria në Gjykatën e Qarkut të Victoria-s vendosi se Pell ka ngacmuar dy djem në korin e kishës në katedrale. Megjithatë, vendimi nuk mund të shpallej menjëherë për shkak të padive tjera në proces për ngacmime seksuale kundër Pell. Vendimi u publikua pasi paditë u refuzuan më 26 shkurt 2019.
Më 13 mars 2019, Pell u dënua me gjashtë vjet burg. Ai kaloi 13 muaj në paraburgim ndërsa Gjykata e Lartë e Australisë pranoi apelin e tij dhe e anuloi vendimin në prill 2020.