Astrit Iseni i reagon Arbër Ademit: Po shpërndanë dezinformata të turpshme, e vërteta është ndryshe

Astrit Iseni i reagon Arbër Ademit: Po shpërndanë dezinformata të turpshme, e vërteta është ndryshe

Zv/mninistri i MPB-së, Astrit Iseni, i ka replikuar deputetit të BDI-së, Arbër Ademi, i cili gjatë ditës tha se po fshihet neni 96 nga Ligji për polici nen që parasheh përfaqësim të drejtë dhe adekuat në këtë institucion.
Sipas Isenit, kjo është një dezinformatë e turpshme dhe se e vërteta flet krejtësisht ndryshe.

Ja dhe postimi i tij I plotë:

DEZINFORMATË E TURPSHME, E VËRTETA FLET KREJTËSISHT NDRYSHE!
Sot, një ish-deputet që për 20 vite ishte pjesë e pushtetit që e braktisi përfaqësimin e shqiptarëve në polici, ka zgjedhur të manipulojë opinionin publik me një shpifje të radhës.
Arbër Ademi po përhap panik të qëllimshëm duke pretenduar se me propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Policinë po fshihet neni 96, i cili garanton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve në këtë institucion. Kjo është një DEZINFORMATË dhe një përpjekje për të mashtruar qytetarët shqiptarë!
E vërteta është kjo:
Asnjë parim i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat nuk është fshirë, përkundrazi, është përforcuar në Ligjin për Ministrinë e Punëve të Brendshme, i cili është aktualisht në procedurë parlamentare. Ky ligj, si ligj bazë (lex generalis) në raport me Ligjin për Policinë (lex specialis), në nenin 8 e përcakton qartë:
Neni 8
(1) Gjatë punësimit në Ministri janë të përfaqësuar në mënyrë të drejtë dhe adekuate edhe qytetarët që i përkasin të gjitha komuniteteve, duke respektuar kriteret e profesionalizmit dhe kompetencës.
(2) Gjatë punësimit në Ministri respektohet parimi i barazisë gjinore.
Kjo do të thotë që nuk fshihet asnjë nga parimet që rregulloheshin në nenin 96 të Ligjit për Policinë, përkundrazi, ato janë të garantuara në një ligj më të lartë dhe më të gjerë që rregullon funksionimin e gjithë Ministrisë.
Për më tepër, sipas standardeve juridike dhe Rregullores për hartimin e ligjeve, nuk lejohet që e njëjta normë të përsëritet në dy ligje që trajtojnë të njëjtën materie. Kjo është arsyeja pse dispozita është vendosur në ligjin më të gjerë dhe jo më në Ligjin për Policinë, për të shmangur dublimin juridik.
Prandaj, i bëj thirrje Arbër Ademit që të ndalojë me gënjeshtrat dhe frikësimin e shqiptarëve. Ai dhe partia e tij kanë pasur dekada për ta zbatuar përfaqësimin e drejtë por nuk e bënë. Tani nuk kanë të drejtë morale të flasin në emër të shqiptarëve.
Unë, si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, garantoj se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, profesionalizmi dhe barazia gjinore do të jenë parime themelore dhe të paprekshme të çdo ligji dhe çdo institucioni nën këtë Ministri.

MARKETING