ASH: VLEN dështon të përmirësojë gjendjen e shqiptarëve, situata po përkeqësohet

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, ka dalë me një reagim të ashpër ndaj koalicionit qeverisës VLEN, duke e akuzuar për dështim të thellë në përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, edhe pas një viti në pushtet.
Sipas deklaratës së partisë, gjendja e shqiptarëve në institucionet shtetërore jo vetëm që nuk ka pësuar përmirësim, por është përkeqësuar në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme. Aleanca për Shqiptarët thekson se në një numër institucionesh kyçe të sigurisë dhe zhvillimit, përfaqësimi i shqiptarëve është zero:
0 shqiptarë në Njësinë Speciale “Tigrat”
0 shqiptarë në Njësinë Speciale “Ujqit”
0 shqiptarë në Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë
0 shqiptarë në Drejtorinë e Zonave të Lira Ekonomike
0 shqiptarë në Akademinë e Shkencave
0 shqiptarë në Agjencinë e Filmit
“Disproporcioni në punësime është alarmant. Shqiptarët po përjashtohen sistematikisht nga institucionet shtetërore, pa asnjë reagim nga qeveria aktuale,” thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Partia gjithashtu denoncon propagandën e VLEN-it për punësime selektive, duke përmendur shembullin e HEC Vërtok ku, sipas tyre, janë punësuar vetëm 10 shqiptarë në krahasim me 55 maqedonas, edhe pse objekti ndodhet në mes të Gostivarit.
“VLEN mundohet të mbulojë dështimin me shifra të vogla, ndërkohë që përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet vazhdon në mënyrë të turpshme dhe të qëllimshme,” vijon deklarata.
Aleanca për Shqiptarët thotë se këto arsye ishin thelbësore në vendimin për të lënë koalicionin VLEN, të cilin e cilësojnë të “zhveshur nga çdo kuptim politik dhe moral”. Ajo e akuzon qeverinë aktuale për orientim monoetnik dhe bashkëpunim me figura që përfaqësojnë “Botën Serbe”, përfshirë zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviç.
Në përfundim, Aleanca thekson se nuk do të jetë pjesë e asnjë pushteti që nuk respekton barazinë dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve.
“Koha e heshtjes mbaroi. Koha e llogaridhënies ka ardhur”, përfundon reagimi.