ASh, Taravari: VLEN dhe Mickoski po shantazhojnë të rinjtë shqiptarë me punësime të përkohshme për përfitime politike

ASh njofton se ditëve të fundit ka pranuar dhjetëra ankesa serioze nga të rinj shqiptarë, të cilët po viktimizohen nga shantazhet dhe presionet kriminale të funksionarëve të VLEN-it.
“Këta individë po i detyrojnë, me forcë dhe pa asnjë lloj vullneti, të ekspozohen në rrjetet sociale nën pretekstin e “punësimeve”.
E vërteta është e hidhur: shumica e këtyre të rinjve janë punësuar me kontrata të përkohshme, që skadojnë në fund të vitit. Këto kontrata janë negociuar drejtpërdrejt me kryeministrin Mickoski, i cili po i trajton si “pronë personale” për shpërdorim të buxhetit publik, në funksion të interesave të tij politike dhe elektorale.
Kjo praktikë është e turpshme, e paligjshme dhe thellësisht anti-demokratike. Presioni politik, shantazhet dhe përdorimi i punësimit si mjet për manipulim dhe nënshtrim të të rinjve përbëjnë veprimtari kriminale”, thonë nga ASh.
ASh u bën thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Diskriminimit, organizatave të shoqërisë civile dhe sindikatave të punës të reagojnë menjëherë.