ASH – Taravari e akuzon VLEN-in për diskriminim etnik dhe manipulim me shifra

ASH – Taravari e akuzon VLEN-in për diskriminim etnik dhe manipulim me shifra

Aleanca për Shqiptarët (ASH), e udhëhequr nga Arben Taravari, ka reaguar ndaj pretendimeve të koalicionit VLEN për përfaqësim të barabartë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

MARKETING

Përmes një deklarate për media, ASH ka denoncuar publikisht atë që e cilëson si “gënjeshtra dhe manipulime me statistika” nga ana e VLEN-it, duke e akuzuar këtë të fundit për vazhdim të diskriminimit etnik edhe në institucionet që vetë i drejton.

ASH i referohet konkursit të fundit publik në Shoqërinë Aksionare për Ushtrimin e Veprimtarisë Energjetike – NOMAGAS në Shkup, ku sipas të dhënave të publikuara, janë punësuar 8 shqiptarë nga gjithsej 18 vende pune. Kur këtyre u shtohen edhe të dhënat paraprake – 11 shqiptarë nga 84 punësime – rezulton se në total janë 102 punësime, nga të cilat vetëm 19 janë shqiptarë, një përqindje prej 18.6%, shumë larg minimumit të garantuar ligjërisht për përfaqësimin e shqiptarëve.

“VLEN mashtron publikisht duke pretenduar përfaqësim 44.4%, ndërkohë që realiteti është krejt tjetër. Kjo qeverisje nuk ka arritur të ndalë diskriminimin e vazhdueshëm dhe nuk ka pasur guximin të përballet me strukturat e vërteta të pushtetit,” thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

ASH thekson se kufijtë e veprimit të VLEN-it janë të përcaktuar nga partnerët e tyre politikë, Hristijan Mickoski dhe Stojançe Angelov, duke shtuar se “VLEN nuk është qeveri e shqiptarëve, por vegël në duart e politikave që i shohin shqiptarët si numra për vota.”

Për këtë arsye, ASH rithekson vendimin për t’u larguar nga qeveria, duke deklaruar se nuk mund të jetë pjesë e një pushteti që “simbolikisht emëron shqiptarë në poste drejtuese, por realisht mohon barazinë në përfaqësim.”

Në përfundim të deklaratës, Aleanca për Shqiptarët shprehet se do të vazhdojë të denoncojë çdo formë të padrejtësisë dhe manipulimit, duke insistuar se barazia nuk është një numër i fabrikuar, por një standard që nuk mund të arrihet me VLEN.

MARKETING