ASH-Taravari denoncon skandalin në ish-Monopolin e Tetovës: Aferë kriminale – arsyetimet e Bilall Kasamit të papranueshme

ASH-Taravari denoncon skandalin në ish-Monopolin e Tetovës: Aferë kriminale – arsyetimet e Bilall Kasamit të papranueshme

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, ka ngritur alarmin për një skandal me përmasa kriminale që po zhvillohet në hapësirat e ish-Monopolit në Tetovë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një ndër shkeljet më të rënda ndaj pronës publike dhe kujtesës historike të shqiptarëve.

MARKETING

Gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot para objektit të ish-Monopolit, përfaqësuesit e partisë theksuan rëndësinë historike të kësaj ndërtese, ku në nëntor të vitit 1944 mbi 10.000 shqiptarë u grumbulluan dhe qindra u masakruan. Po aty nisi edhe rrugëtimi i Universitetit të Tetovës, si një simbol i arsimit të lartë shqip.

Sipas deklaratës, objekti po prishet në mënyrë të dyshimtë dhe jotransparente për t’i hapur rrugë interesave private, pa respektuar standardet mjedisore dhe pa asnjë mbrojtje për qytetarët nga ndotja.

Aleanca akuzon kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për shitjen e parcelës me vetëm 70 denarë për metër katror dhe për ndryshimin e Planit Detal Urbanistik, gjë që ka rritur ndjeshëm vlerën e tokës dhe i ka hapur rrugë ndërtimit të objekteve shumëkatëshe private.

Për më tepër, sipas informacioneve jozyrtare të marra nga kjo parti, gjatë punimeve janë zbuluar edhe eshtra që mund t’i përkasin viktimave të masakrës së vitit 1944 një zhvillim që e bën edhe më urgjent pezullimin e punimeve dhe nisjen e një hetimi të thelluar.

“Bilall Kasami kishte mundësinë ta ndalte këtë krim urban dhe historik, por vendosi të bëhet bashkëpunëtor në këtë aferë,” u tha në konferencë. Aleanca për Shqiptarët kërkon hetim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse dhe vendosjen e përgjegjësisë ligjore ndaj të gjithë të përfshirëve.

Partia propozon që në këtë hapësirë të ndërtohet një qendër memoriale, bibliotekë universitare apo një park publik, në vend të ndërtimeve të reja private që, sipas saj, vetëm sa dëmtojnë jetesën urbane dhe fyjnë historinë kolektive të shqiptarëve.

“Qyteti ka nevojë për më shumë gjelbërim dhe vlera evropiane jo për më shumë beton,” përfundoi deklarata.

MARKETING