ASH-Taravari: 116 punësime – 1 shqiptar! Kjo është “barazia” e VLEN-it!

Aleanca për Shqiptarët krahu i Taravarit, sot kanë reaguar në lidhje me punësimet të qeverisë aktuale. Sipas tyre, edhe përkundër faktit që partneri qeveritar shqiptar – VLEN, premtuan 2500 punësime, nga krahu i Taravarit thonë që rezultati deri tabi është 0.
Komunikata e plotë e ASH – krahu i Taravarit:
Në fillim të muajit gusht, realiteti i punësimeve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut e nxjerr zbuluar mashtrimin e madh të propagandës së VLEN-it. Shifrat flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për koment. Janë bërë 116 punësime në tre institucione – vetëm 1 është shqiptar, sigurisht ndonjë familjar i krerëve të VLEN-it.
Në radhët e fundit të pranimeve në Armatë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, janë punësuar 71 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar – një tregues brutal i përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga strukturat e sigurisë.
Në Agjencinë për Kadastrën e Pasurisë së Paluajtshme, bilanci i avancimeve dhe punësimeve të fundit është 25 maqedonas dhe 0 shqiptarë.
Në Agjencinë për Nxitjen e Zhvillimit të Bujqësisë, u punësuan 20 maqedonas dhe 0 shqiptarë.
VLEN-i që premtoi 2.500 punësime për shqiptarët, ka sjellë deri tani 0. E vetmja gjë që po punësohet me ritme të shpejta është gënjeshtra.
Ky është realiteti i qeverisjes aktuale – VMRO-ja ecën me agjendën e saj, ndërsa VLEN-i hesht, pranon, dhe dekoron këtë pabarazi të turpshme.
Shqiptarët janë bërë spektatorë të ndarjes së posteve për një pakicë të privilegjuar, ndërsa masa trajtohet si e padukshme. Aleanca për Shqiptarët dënon këtë diskriminim të pastër dhe paralajmëron se heshtja përballë këtij përjashtimi është bashkëfajësi.
Koha e llogaridhënies do të vijë. Dhe ajo nuk do të matet me konferenca për shtyp, por me bilanc real dhe ndëshkim politik.
Aleanca për Shqiptarët