ASH-Sela: Deklarata e Mickoskit për UÇK-në është skandaloze dhe provokim kombëtar – shqetësuese heshtja e shqiptarëve në qeveri

Deklarata e kryeministrit Mickoski në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, ku ai sot në një prononcim për media, deklaroi se “lufta e UÇK-së nuk është e pastër, të mos kthehemi 25 vite mbrapa duke luajtur me kartër e BDI-së”, ka ngjallur reagime tek partitë opozitare shqiptare.
Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës, janë
shprehur se këto deklarata të kryeministrit Mickoski janë skandaloze dhe provokim i hapur ndaj ndjenjave kombëtare, ndërsa më shqetësuese është heshtja e shqiptarëve në qeveri, të cilët edhe kësaj here duan t’i relativizojnë edhe këto sulme ndaj shqiptarëve.
Komunikata e plotë e ASH krahu i Ziadin Selës:
Deklratat e kryeministrit Hristian Mickoski për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare janë skandaloze dhe provokim i hapur ndaj ndjenjave kombëtare te shqiptarëve në përgjithësi.
Pas zhbërjes së shumë të drejtave dhe të arriturave të deritanishme, Mickoski tani tenton edhe ta mohojë dhe ndalojë një pjesë të lavdishme të historisë tonë. Ne e kemi pritur dhe paralajmëruar rrezikun se kjo Qeveri antishqiptare do të arrijë deri këtu dhe të gjitha veprimet tona kanë qenë pikërisht në frymën e parandalimit me kohë të një momenti si ky. Por ajo që edhe më shumë na shqetëson është heshtja e shqiptarëve në Qeveri të cilët siç duket edhe këtë duan ta kalojnë me relativizime dhe ndoshta edhe me sulme ndaj shqiptarëve siç kanë bërë deri më tani.
Deklaratat e kryeministrit Mickoski janë sa ofenduese për shqiptarët aq edhe të rrezikshme për stabilitetin e vendit, kohezionin ndëretnik, tensionimin e marëdhënieve mes bashkësive dhe të ardhmen europiane të vendit.
Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës