ASH: Nxënësit shqiptarë vazhdojnë të privohen nga e drejta për arsim në gjuhën e tyre amtare
Aleanca për Shqiptarët ngre shqetësimin për një problem që prej vitesh mbetet i pazgjidhur: fëmijët shqiptarë në Idrizovë nuk mund ta përfundojnë arsimin fillor në gjuhën shqipe në vendbanimin e tyre.
Në shkollën fillore “Njegosh”, mësimi në gjuhën shqipe ofrohet vetëm deri në klasën e pestë. Nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, nxënësit shqiptarë detyrohen të ndjekin mësimin në komuna të tjera për të vazhduar shkollimin në gjuhën e tyre amtare.
Në vitin 2026, kjo situatë është e papranueshme.
Nëse qëndrimi i Ministrisë së Arsimit dhe i Qeverisë është që çdo fëmijë duhet të arsimohet në gjuhën e tij amtare, atëherë kjo duhet të dëshmohet me veprime konkrete.
Çfarë i pengon institucionet të hapin paralele në gjuhën shqipe në shkollën “Njegosh”, nga klasa e gjashtë deri në të nëntën?
Përgjegjësi politike, sipas ASH-së, mban edhe VLEN-i, i cili në Qeveri hyri me premtime për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe ka përfaqësues shqiptar edhe në Ministrinë e Arsimit.
Fëmijët e Idrizovës nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë një të drejtë që u takon: të arsimohen në gjuhën e tyre amtare, në vendbanimin e tyre.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Qeveria që menjëherë të ndërmarrin procedurat për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në Idrizovë.

