ASH: Ligji i ri për lojërat e fatit dëmton familjet dhe legalizon varësinë

ASH: Ligji i ri për lojërat e fatit dëmton familjet dhe legalizon varësinë

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj projektligjit për lojërat e fatit, duke vlerësuar se ai nuk ofron mbrojtje reale për qytetarët, por i mundëson industrisë së bixhozit të vazhdojë aktivitetin e saj dhe ndikimin negativ në shoqëri.

Sipas ASH-së, industria e lojërave të fatit është një nga faktorët që nxit varësinë, rëndon gjendjen ekonomike të familjeve, ushtron presion mbi sistemin shëndetësor dhe atë të mbrojtjes sociale, si dhe shton problemet sociale që, sipas tyre, cenojnë stabilitetin e komuniteteve.

“Në bazë të statistikave dhe përvojave të familjeve të prekura, pasojat e kësaj industrie janë të dukshme dhe të rënda”, thuhet në reagimin e partisë.

ASH vlerëson se propozimi i koalicionit VLEN, i cili parashikon një distancë minimale prej 500 metrash ndërmjet objekteve të lojërave të fatit dhe shkollave, nuk është zgjidhje e mjaftueshme.

“Sipas nesh, kjo masë është vetëm një fasadë që legalizon funksionimin e një industrie që vazhdon të prodhojë varësi dhe pasoja të rënda sociale. Aleanca për Shqiptarët kërkon mbylljen e plotë të veprimtarisë së lojërave të fatit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si një hap të domosdoshëm për mbrojtjen e fëmijëve, të rinjve dhe familjeve”, thuhet më tej në deklaratë.

Në fund, ASH u bën thirrje deputetëve që të mos mbështesin zgjidhje që, sipas saj, legalizojnë bixhozin, por të miratojnë masa më të forta për parandalimin e varësisë, mbështetjen e familjeve dhe forcimin e sistemeve shëndetësore e sociale.

“Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të kundërshtojë çdo politikë që, sipas vlerësimit tonë, rrezikon mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në reagimin e partisë.

MARKETING