ASH e Selës akuzon: Drejtori i Taravarit largon nga puna specialistin e vetëm shqiptarë në Shtëpinë e Shëndetit në Kërçovë, për hakmarje politike
Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës e ka akuzuar sot ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari, se për shkak hakmarrjes politike, ia kanë ndërprerë marrëveshjen e punës specialistit shqitar në Shtëpinë e Shëndetit në Kërkovë.
Sipas tyre, kjo ka ndodhur për shkak se i njëjti është babai i kryetarit të degës së Aleancës për Shqiptarët në Kërçovë.
“Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Kërçovë, Genc Selmani, nuk është mjaftuar me kaq, por është lavdëruar edhe në profilin e tij në Facebook duke konfirmuar hakmarrjen, ndërsa më skandalozja, padroni i tij dhe ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, e ka mbështetur me një “përqafim” në këtë postim. Në vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës është përdorur një arsyetim skandaloz, se Shtëpisë së Shëndetit nuk i nevojitet një specialist si ky edhe pse vendimin për angazhim paraprakisht të njëjtit ia kanë nënshkruar dy ish ministra të shëndetësisë.
Veprimet e këtilla revanshiste të Vlenit dhe veçanërisht ministrit të Shëndetësisë, Arbem Taravari e grupit të tij, po ua shohin pasojat të gjithë shqiptarët. Shumë klinika kanë mbetur pa udhëheqës shqiptarë dhe janë zëvendësuar me maqedonas, ndërsa shumë mjekëve, infermierëve dhe stafit tjetër medicinal u është ndërprerë marrëdhënia e punës dhe në vend të tyre janë punësuar maqedonas.
Çdo ditë e më shumë po e dëshmojnë veten se ata janë në pushtet jo vetëm kundër vullnetit të shqiptarëve, por tanimë edhe kundër shqiptarëve”, thuhet në reagimin e ASH-së, krahu i Selës.