Arsimi dhe Makedonija Gj.P. ndahen pa fitues, Bashkimi ëndërron vendin e dytë!

Zhvillime interesante në prag të javës së fundit në Ligën e Dytë të Maqedonisë së Veriut, ku pas barazimit pa gola mes Arsimit dhe Makedonija Gj.P., skuadra e Bashkimit nga Kumanova ka përfituar dhe është ngjitur në vendin e dytë në renditje, pas një fitoreje dramatike 3:2 ndaj Detonit Plaçkovicës.
MARKETING
Bashkimi përmbysi rezultatin pas disavantazhit në pjesën e parë dhe, megjithëse mysafirët barazuan në 2:2, goli i vonshëm nga këndi i solli fitoren e madhe “zi-gjelbërve”. Golat për ekipin vendas i realizuan Husein Demiri, Alban Memedi dhe Kristijan Mitrevski, ndërsa për Detonitin shënuan Damjan Masevski dhe Luka Trajkovski.
Ky rezultat, së bashku me barazimin 0:0 mes Arsimit dhe Makedonija Gj.P., ka bërë që tani tabela të marrë një pamje krejt tjetër. Makedonija Gj.P. kryeson me 64 pikë, pasuar nga Arsimi me 62 dhe Bashkimi me 60 pikë, por me një ndeshje më pak, atë të paregjistruar ende me Kozhufin. Në garë është edhe Bregallnica me 58 pikë.
Kujtojmë që dy vendet e para sigurojnë ngjitjen direkte në elitën e futbollit, ndërsa skuadra e vendit të tretë do të luajë ndeshje shtesë (barazh) për promovim në Ligën e Parë.
Xhiroja e fundit sjell përballjet:
- Vardar (N) – Arsimi
- Bregallnica – Bashkimi
- Makedonija Gj.P. – Belasica