Arrestohet presidenti i Koresë së Jugut, merret në pyetje për ligjin ushtarak

Arrestohet presidenti i Koresë së Jugut, merret në pyetje për ligjin ushtarak

Presidenti i akuzuar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, u arrestua nga policia në përpjekjen e saj të dytë dhe është marrë në pyetje në lidhje me shpalljen e ligjit ushtarak, gjë që ndodh për herë të parë në historinë e vendit, transmeton Anadolu.

Yoon, 63 vjeç, u arrestua 43 ditë pas ndodhisë tronditëse më 3 dhjetor kur shpalli ligjin ushtarak, i cili u anulua pasi parlamenti përmbysi vendimin e tij brenda disa orësh.

Ai u akuzua për kryengritje dhe tradhti dhe Zyra e Hetimit të Korrupsionit për Zyrtarët e Lartë (CIO) pritet të “kërkojë një urdhër për arrestimin zyrtar të tij brenda 48 orëve”, njoftoi Yonhap News.

Hetuesit arrestuan presidentin e akuzuar në rezidencën e tij në kryeqytetin Seul.

Një urdhër ndalimi u ekzekutua në orën 10:33 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Ai shpejt u çua në zyrën kundër korrupsionit në Gwacheon, në jug të kryeqytetit Seul, ndërsa marrja në pyetje, në prani të avokatëve, filloi në orën 11:00.

Autoritetet pritet të ndalojnë Yoon në Qendrën e Paraburgimit në Uiwang, pas marrjes në pyetje.

– Kthesat dramatike

Arrestimi i presidentit Yoon u shënua me skena dramatike që në fillim të këtij muaji, kur shërbimi presidencial i sigurisë bllokoi organet që të ndalonin liderin ndaj të cilit u votua impiçment dhe më pas u shpall urdhërarrest.

Kjo ishte hera e parë në historinë e Koresë së Jugut që një gjykatë kishte lëshuar urdhërarrest kundër një presidenti në detyrë.

Ai gjithashtu përballet me një ndalim udhëtimi, që gjithashtu është hera e parë në historinë e vendit kundër një presidenti në detyrë.

Përpjekja e 3 janarit për të arrestuar Yoon rezultoi në një përplasje pesë-orëshe midis agjencive qeveritare.

Megjithatë, CIO siguroi një zgjatje të urdhrit të arrestit deri më 21 janar dhe formoi një organ të përbashkët me policinë për të ekzekutuar urdhrin.

Rreth 3.200 personel policie u mobilizuan për të siguruar hyrjen në kompleksin presidencial.

Siç pritej, ekipi i përbashkët i hetuesve nisi një bastisje para agimit në rezidencën e Yoon-it, ku u regjistruan edhe përleshje fizike pasi sigurimi presidencial fillimisht bllokoi hyrjen e ekipeve.

Të paktën një person është transferuar për mjekim për shkak të lëndimit, ndërsa nuk dihet se si është plagosur.

Pas një operacioni prej rreth shtatë orësh, hetuesit arrestuan Yoon, i cili gjithashtu publikoi një video-mesazh, duke e quajtur arrestimin e tij “të paligjshëm”, por u shpreh se do të paraqitet para autoriteteve “për të shmangur gjakderdhjen”.

MARKETING