Arkin Jahiji: Bërvenica do të jetë komunë e bashkimit, mundësive dhe barazisë për të gjithë
Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, në tubimin përmbyllës të mbajtur sonte në këtë komunë, u zotua se do të angazhohet për një komunë gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar do të jetë i barabartë dhe në qendër të vëmendjes, raporton SHENJA.
Jahiji theksoi se vizioni i tij për Bërvenicën bazohet në përmirësimin e kushteve të jetesës, krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë dhe mbështetjen e familjeve, duke premtuar një qeverisje lokale të hapur dhe pranë qytetarëve.
“Ne duam një komunë që punon për vendin tonë, për fëmijët tanë dhe familjet tona. Një komunë ku të rinjtë tanë do të kenë më shumë mundësi, ku familjet do të kenë më shumë kushte jetese. Duam një komunë ku qytetari të jetë në qendër të vëmendjes, ku kryetari të jetë pranë njerëzve dhe ku dera e komunës të jetë e hapur për secilin”, deklaroi Jahiji.
Ai nënvizoi se synimi i tij është bashkimi i qytetarëve dhe jo ndarja e tyre, duke theksuar se Bërvenica duhet të jetë një komunë ku të gjithë ndihen të përfaqësuar.
“Do të ketë një komunë për të gjithë. Sepse nuk duam ta ndajmë Bërvenicën, ne duam ta bashkojmë atë. Nuk duam të ndërtojmë mure mes njerëzve”, përfundoi Jahiji. /SHENJA/

