Arifi: Në fshatrat ku mungon uji do të lëshohet kur banorët do të kyçen në rrjet
Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, në një paraqitje në emisionin “Debat në Shenja”, ka folur për ecurinë e projektit të ujësjellësit në këtë komunë, duke e cilësuar atë si një ndër projektet më të rëndësishme. Arifi theksoi se projekti i ujësjellësit përfshin 11 vendbanime dhe është në faza të ndryshme realizimi. Sipas tij, punimet janë në proces në disa fshatra si Nikushtaku, Vishtica, Mateçi dhe Hotla, ndërsa në disa të tjera si Likova, Orizarja, Sllupçani, Vaksinca dhe Llojani, projekti tashmë është përfunduar.
“Duke pasur para syshë se projekti i ujlsjellësit për tërë vendbanimet e Komunës së Likovës është një projekt kapital dhe është projekt i cili shtrihet në 11 fshatra fushor. Për të gjithë nëntë fshatrat, duke filluar nga Nikushtaku, Vishtica, Mateçi, Hotla është në proces të punimeve, Likova e përfunduar, Orizarja e përfunduar, Sllupçani i përfunduar, Vaksinca dhe Llojani të përfunduar, ndërsa për fshatin Opaj dhe fshatin Ropallc nga qeversja e kaluar janë siguruar 930 mijë euro”, tha Arifi.
Ai veçoi se për fshatrat Opaj dhe Ropallc janë siguruar 930 mijë euro nga qeverisja e kaluar, por deri më tani, sipas tij, mjetet nuk janë procesuar nga ministria përkatëse, ndonëse vendimi është publikuar në Gazetën Zyrtare. Arifi theksoi se dokumentacioni i nevojshëm është dorëzuar në kohë dhe pret që punimet të nisin sa më shpejt edhe në këto dy vendbanime.
Kryetari i komunës bëri të ditur se në zonat ku ujësjellësi është funksional, familjet e kyçura tashmë furnizohen me ujë, ndërsa në disa lagje pritet përfundimi i plotë i rrjetit. Megjithatë, ai ngriti shqetësimin për mungesën e interesimit të disa banorëve për t’u kyçur dhe për të paguar obligimet përkatëse.
“Deri sot e kësaj dite nga ana e ministrisë nuk është procesuar edhe pse vendimi është shpallur në Gazetën Zyrtare. Kemi qenë në atë kohë në qeverinë e RMV-së dhe dokumentacioni, projektet, letë ndërtimi, gjithçka që kanë kërkuar janë dorëzuar dhe presim nga ana e Ministrisë që këta dy fshatra një ditë e më herët të përfundojnë punimet dhe këta të jenë pjesë e ujësjellësit. Në fshatrat ku ka ujësjellës, në shtëpitë ku janë kyçur ka ujë, në disa vende pritet të pëfundojë të përfundojë e tërë lagjja. Se kemi disa probleme në disa fshatra, ku banorët nuk e paguajnë taksën që duhet ta paguajnë dhe ne nëse në një lagje nga 30 shtëpi, nëse nuk kanë kërkuar 20 shtëpi të kyçen, ne nuk mund ta lëshojmë ujin në atë lagje për të gjithë 30 shtëpitë, por vetëm për ata që kanë kërkuar.Prandaj unë kërkoj dhe jam nëm takim të përditshëm me banorët e Komunës që ta tejkalojmë këtë problem jetik”, tha Arifi.

