Arben Fetai jep dorëheqje: Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër
Zëvendëskryeministri përgjegjës për Qeverisjen e Mirë, Arben Fetai, ka njoftuar se i ka dorëzuar kryeministrit Hristijan Mickoski dorëheqjen nga funksioni që ushtronte. Në një reagim publik, ai tha se vendimi është i mirëmenduar dhe i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale është veprimi më i drejtë dhe më dinjitoz. Fetai vlerësoi se gjatë mandatit të tij ka kontribuar në reforma për forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës.
“Sot i dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë. Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues. A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po. Largohem me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër. Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze. Falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar, më kanë mbështetur dhe kanë bashkëpunuar me mua gjatë këtij rrugëtimi. Mirënjohje e veçantë për ekipin tim, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët që më kanë dhënë forcë e motivim në çdo hap. Shërbimi ndaj interesit publik nuk mbaron kur mbaron funksioni. Përkundrazi, ai vazhdon kudo ku ka nevojë për integritet, kurajë dhe zëra të lirë në mbrojtje të së mirës së përbashkët. Letrën e dorëheqjes mund ta lexoni më poshtë”, ka shkruar Fetai.

