Antikorrupsioni: Qeveria të kërkojë përgjegjësi nga Spasovski për tragjedinë e ”Besa Trans”

Antikorrupsioni: Qeveria të kërkojë përgjegjësi nga Spasovski për tragjedinë e ”Besa Trans”

Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit (KSHPK) vendosi të parashtrojë nismë në Qeveri për konstatimin e përgjegjësisë të ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski lidhur me zgjidhjen jo në kohë të ndalesës për kryerje të kontrollit teknik të personit juridik “Via Komerc”, stacion në të cilin pas konstatimit të parregullsive, kontrolli teknik ishte kryer edhe për transportuesin “Besa trans” në autobusin e të cilit në fatkeqësinë në Bullgari jetën e humbën 45 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa shtatë u lënduan.

Komisioni konstatoi se ministri nuk ka vepruar drejtë, sepse pas raportit të marrë nga inspektorati i cili ka kryer kontroll dhe ka konstatuar parregullsi në punën e stacionit, ai nuk ka dhënë urdhër në afatin e paraparë nga stacioni t’i mënjanojnë parregullsitë, por të njejtin e ka dhënë pas tre muajve nga raporti i marrë, përkatësisht tre ditë pas fatkeqësisë në Bullgari.

KSHPK vendosi se për shkak të faktit që Prokuroria publike tashmë ka lëndë të hapur dhe po zhvillohet proces gjyqësor për atë rast, të gjitha dëshmitë të cilat i kanë do t’i parashtrojnë si plotësim të dëshmive në prokurori, ndërsa në Qeveri do të parashtrojnë nismë për konstatimin e përgjegjësisë të ministrit Oliver Spasovski.

Nga atje cekën se ende nuk është konstatuar se fatkeqësia e autobusit ka ndodhur për shkak të parregullsisë teknike të automjetit.

Përfaqësuesit e KSHPK-së në mbledhjen e sotme diskutuan edhe për xhirimin nga Zgjedhjet lokale ku shihet se si ministri i Punëve të Brendshme, Bujar Osmani dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini përdorin automjete zyrtare për qëllime partiake.

Lidhur me pyetjen e gazetarëve çka më tutje lidhur me këtë rast, ata u përgjigjën se detyrë e tyre është materialin ta dërgojnë në kabinetin e zëvendëskryeministres për sundim të mirë dhe ata të sjellin vendim.

Mes lëndëve që u gjendën në rendin e sotëm të ditës ishte edhe propozimi për parashtresë në Këshillin e prokurorëve publik lidhur me punën e prokurores Natasha Pop Trajkova lidhur me veprimin rreth lëndës Holidej In, e cila sipas KSHPK-së, po zhvillohet tashmë një kohë të gjatë.

MARKETING