Anija MV “Hondius” mbërrin në Tenerife mes alarmit për hantavirusin, pasagjerët drejt riatdhesimit
Anija turistike MV Hondius, e cila ndodhet në qendër të një shpërthimi të hantavirusit, ka mbërritur në ishullin spanjoll të Tenerife-s, ku 147 pasagjerët e saj pritet të zbarkojnë në një operacion riatdhesimi të menaxhuar me kujdes dhe që përfshin disa vende.
Anija do të ankorohet në Portin e Granadillës, në Ishujt Kanarie, ndërsa pasagjerët do të evakuohen drejt vendeve të tyre të origjinës pasi t’i nënshtrohen testeve për të konfirmuar se nuk shfaqin simptoma, thanë zyrtarët.
Që prej nisjes së anijes nga Argjentina muajin e kaluar, vdekja e tre personave është lidhur me hantavirusin, një sëmundje e rrallë që zakonisht shkaktohet nga ekspozimi ndaj urinës ose jashtëqitjes së brejtësve të infektuar ndërsa persona të tjerë janë evakuuar nga anija për trajtim mjekësor.
Sipas zyrtarëve lokalë, anija do të ankorohet në distancën “më të sigurt” nga skela, ndërsa pasagjerët do të transportohen drejt bregut sipas kombësisë nëpërmjet mjeteve të vogla lundruese me kapacitet maksimal prej 10 personash, bëri të ditur operatori turistik Oceanwide Expeditions.
Disa vende, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë, Francën, Belgjikën, Irlandën dhe Holandën, po dërgojnë avionë për të evakuuar shtetasit e tyre që ndodheshin në anije. “Sekuenca e zbarkimit do të koordinohet me fluturimet e riatdhesimit që do të mbërrijnë”, deklaroi Oceanwide, duke shtuar se bagazhet e pasagjerëve do të mbeten në anije dhe do t’u dorëzohen më vonë.
Një zyrtar i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se 17 pasagjerët amerikanë — asnjëri prej të cilëve nuk ka simptoma — do të transportohen në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nebraskës, ku ndodhet Njësia Kombëtare e Karantinës, një strukturë e financuar nga qeveria federale amerikane.
Sipas të njëjtit zyrtar, pas një vlerësimi të shkurtër në njësi, pasagjerët do të mund t’i nënshtrohen monitorimit në banesat e tyre për 42 ditët e ardhshme, me kontrolle që pritet të kryhen të paktën një herë në ditë.
Katërmbëdhjetë pasagjerë spanjollë pritet të jenë të parët që do të zbresin nga anija dhe do të mbajnë maska FFP2, së bashku me personelin e përfshirë në transportin me autobusë dhe logjistikë, deklaroi të shtunën ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Mónica García.
Ata do të dërgohen në një spital ushtarak, ku do të qëndrojnë në dhoma individuale pa lejimin e vizitorëve dhe do t’i nënshtrohen një testi PCR në momentin e mbërritjes dhe një testi tjetër shtatë ditë më vonë, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e Spanjës.
Mbërritja e anijes ka shkaktuar tensione në Ishujt Kanarie, një bashkësi autonome e Spanjës, ndërsa presidenti i rajonit, Fernando Clavijo, deklaroi më herët gjatë javës se ishte kundër ankorimit të anijes në territorin e tyre.
Edhe punëtorët e portit në Tenerife kanë zhvilluar protesta, duke shprehur shqetësime për mungesën e komunikimit lidhur me rreziqet e mundshme.
Anija dhe ekuipazhi i saj pritet të vijojnë udhëtimin drejt Roterdamit në Holandë, ku ekuipazhi do të zbresë dhe anija do t’i nënshtrohet dezinfektimit.
Shpërthimi i hantavirusit u raportua për herë të parë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë më 2 maj dhe, sipas OBSH-së, mbetet një rrezik i ulët për publikun e gjerë.

