Alternativa: Vit i ndryshimeve kushtetuese, jo i zgjedhjeve
AlternAtivA u bë pjesë e Qeverisë me një marrëveshje të shkruar, pika e parë e së cilës ishte zhbllokimi i procesit eurointegrues dhe hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Prandaj, si parti besojmë se gjatë këtij viti, të gjitha kapacitetet politike dhe shtetërore duhet të përqendrohen në realizimin e obligimit të marrë me ‘propozimin francez’ për ndryshimin e Kushtetutës.
Fillimi i bisedimeve përmbajtësore me BE-në nënkupton dinamikë më intensive të reformave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
AlternAtivA është e përkushtuar që, përveç përmbushjes së obligimit për njohjen e pakicës bullgare dhe zëvendësimit të përkufizimit “gjuha që flasin mbi 20% e popullsisë” me “gjuhën shqipe”, në këtë proces të bëhet edhe një hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit politik. Prandaj, kemi propozuar amendament kushtetues për sanksionimin e korrupsionit në nivel të lartë, për të cilin po kërkojmë mbështetje nga faktorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë.
Përveç ndryshimeve kushtetuese, na pret shumë punë gjatë këtij viti.
Vendi po e menaxhon me sukses krizën energjetike, duke siguruar furnizim të pandërprerë dhe duke mos lejuar shtrenjtimin enorm të energjisë elektrike, që ishte një tjetër përcaktim i yni i rëndësishëm në marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Po përpiqemi të arrijmë marrëveshjen për Qendrën e re Klinike, me një model unik financimi të propozuar nga Ministri ynë i Shëndetësisë.
Jemi të përkushtuar për reformim të administratës publike dhe digjitalizim të shërbimeve publike, duke lehtësuar procedurat për qytetarët.
Viti 2023 është vit i ndryshimeve kushtetuese dhe i punëve dhe projekteve serioze. Për Alternativën, zgjedhjet e parakohshme në këtë periudhë do të ishin humbje kohe dhe shpenzim i panevojshëm në buxhet, duke marrë parasysh se viti i ardhshëm është gjithsesi vit i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.
AlternAtivA – Shkup
Shkup, 04.01.2023