Alkaloid me shitje të konsoliduar prej 70.5 milionë euro, rritje të eksportit të konsoliduar mbi 28% në periudhën janar-mars 2023

Kompania “Alkaloid” ka realizuar shitje të konsoliduara prej 70.5 milionë euro, rritje të eksporteve të konsoliduara mbi 28% dhe 47 vende të reja pune në vend në periudhën janar-mars 2023, njoftojnë nga “Alkaloid”, raporton SHENJA.

Në këtë periudhë shitjet arrijnë në 3.104.714.658 denarë, që është 15% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Shitjet e përgjithshme të konsoliduara arrijnë në 4.346.596.075 denarë, që është një rritje prej 2%.

“Shitjet e konsoliduara në tregun e brendshëm u rritën për 3%, dhe totali i eksporteve të konsoliduara u rrit për 28%. Nga totali i shitjeve të konsoliduara, 72% janë realizuar në tregjet e huaja, kryesisht në vendet e Evropës Juglindore ,29. Shitjet në Armeni u rritën për tre herë dhe në Rumani për 51%”, qëndron në komunikatën e Alkaloidit.

Në strukturën e totalit të shitjeve të konsoliduara, peshën më të madhe e zënë produktet nga segmenti i farmacive – 90%. Totali i investimeve në mjete fikse në periudhën janar-mars 2023 është 346.520.151 denarë.

“Fitimi për njësi, para shpenzimeve financiare, taksave dhe zhvlerësimit , i cili arrin në 598,921,588 denarë, tregon rritje prej rreth 12%, ndërsa fitimi neto për njësi arrin në 355,523,149 denarë dhe është rritur për 19%”, thuhet më tej në komunikatë.

Grupi numëron 2678 punëtorë, nga të cilët 2039 janë në vend dhe 639 në filiale jashtë vendit. Aksionet e “Alkaloid” SHA Shkup janë të listuara në tregun zyrtar të Bursës së Maqedonisë së Veriut që nga viti 2002 dhe konsiderohen si një nga aksionet më të tregtueshme dhe më likuide. Çmimi i një aksioni në periudhën janar-mars 2023 varionte nga 17.200 deri në 18.100 denarë. /SHENJA/

MARKETING