Aliu: Po realizojmë projekte strategjike kapitale në shëndetësi
Ministria e Shëndetësisë vazhdon me realizimin intensiv të projekteve strategjike kapitale, të cilat siç informoi, do ta transformojnë infrastrukturën shëndetësore në të gjithë vendin.
Këto aktivitete u prezantuan në detaje në takimin e 10-të të grupit sektorial të punës për shëndetësinë.
“Vizioni ynë është shumë i qartë, e ai është shëndetësi e qasshme dhe cilësore për të gjithë qytetarët, sistem i ndërlidhur digjitalisht dhe mbrojtje e fuqishme primare shëndetësore. Investimi në infrastrukturë nuk është vetëm ndërtim muresh, por investim te njerëzit, te sistemi dhe te e ardhmja e vendit tonë. Së bashku po ndërtojmë shëndetësi moderne dhe humane”, thotë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ndër projektet prioritare kapitale janë ndërtimi i Spitalit të ri Klinik në Shtip, Spitalit të Përgjithshëm në Kërçovë, Spitalit Klinik në Tetovë, Qendrës për plagë dhe gangrena në ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori” në Shkup, ndërsa në fazën e ardhshme edhe Qendra e re Klinike. Krahas kësaj, po avancojnë edhe projektet për investime humane dhe sociale, si përmirësimi i kushteve për pacientët gjyqësorë në Spitalin Psikiatrik-Shkup dhe Hub-i inovativ në Koçan.
Paralelisht me projektet kapitale, po realizohen edhe projekte strategjike shëndetësore, si Qendra Urgjente për Toksikologji, zhvillimi i kapaciteteve in vitro për gjinekologji dhe përforcimi i kujdesit intensiv në kardiologji.
“Infrastruktura moderne nënkupton edhe digjitalizim. Platformat kombëtare digjitale, rrjetet laboratorike, zgjidhjet sistemore digjitale dhe shërbimet e integruara – këto janë projektet që do ta afrojnë sistemin tonë shëndetësor pranë çdo qytetari, pa dallim se ku jeton në shtet”, theksoi Aliu.

