Ali Ahmeti: BDI-ja nuk frikësohet dhe nuk mposhtet politikisht
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në tubimin e organizuar në Parkun e Qytetit në Shkup për 24-vjetorin e themelimit të partisë, tha se BDI-ja nuk mund të frikësohet dhe as të mposhtet politikisht.
Ai theksoi se BDI-ja mbetet e përkushtuar për një Maqedoni të Veriut demokratike dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Sipas Ahmetit, partia do të vazhdojë të punojë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për proceset integruese.
Duke folur për arritjet e viteve të fundit, Ahmeti përmendi anëtarësimin e vendit në NATO, zgjedhjen e kryetarit të parë shqiptar të Kuvendit dhe emërimin e kryeministrit të parë shqiptar. Ai tha se këto dhe zhvillime të tjera janë rezultat i angazhimit të BDI-së.
“Gjithçka e mirë që është arritur në këto vite mban vulën e BDI-së”, deklaroi Ahmeti.
Tubimi u mbajt në kuadër të shënimit të 24-vjetorit të themelimit të BDI-së.

