Algjeria lufton me dhjetëra zjarre pyjore që kanë lënë 12 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur
64 zjarre pyjore kanë vazhduar të jenë aktive në 10 provinca të Algjerisë, shumica e tyre në provincën lindore Jijel, pasi autoritetet shuan 110 nga 174 zjarret që shpërthyen në mbarë vendin gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes Civile, Jijel kryesonte listën e provincave me zjarre aktive me 20 të tilla, e ndjekur nga Skikda me 14, El Tarf pranë kufirit me Tunizinë me 10, Guelma me gjashtë, Annaba me pesë dhe Bejaia me katër.
Ndërkohë, Bouira vazhdon të përballet me dy zjarre, ndërsa Tebessa, Constantine dhe Mila po luftojnë me nga një zjarr secila.
Ekipet e emergjencës kanë vazhduar përpjekjet për shuarjen e zjarreve me mbështetje ajrore nga avionët ushtarakë BE-200, avionët zjarrfikës AT-802 dhe helikopterët Mi-26.
Zonat ku vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve përfshijnë Taxenna, Ziama Mansouriah, El Milia, Ouled Yahia Khedrouche dhe Chekfa në Jijel, si dhe zona në Skikda, El Tarf dhe Annaba.
– 12 të vdekur, 54 të plagosur
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Said Sayoud, vala e zjarreve që shpërtheu të mërkurën deri më tani ka lënë 12 persona të vdekur, pesë në Jijel, katër në Bejaia dhe tre në Tizi Ouzou.
Sayoud tha se 54 persona të tjerë kanë pësuar lëndime, përfshirë gjashtë që ndodhen në gjendje kritike.
Dje, presidenti algjerian, Abdelmadjid Tebboune, shpalli tre ditë zie kombëtare, duke urdhëruar uljen e flamujve në gjysmështizë në nderim të viktimave.
Po atë ditë, kryeministri Sifi Ghrieb udhëtoi drejt Jijelit për të mbikëqyrur përpjekjet për shuarjen e zjarreve dhe për të vizituar të plagosurit dhe banorët lokal në zonat e prekura.
Zjarret vijnë në mes të një vale të rëndë të të nxehtit që ka përfshirë Afrikën e Veriut, ku autoritetet thonë se kanë mobilizuar burime tokësore dhe ajrore me qëllim mbrojtjen e jetëve dhe pronës.
Të martën, shërbimi meteorologjik i Algjerisë paralajmëroi për një valë të pritshme të të nxehtit në disa provinca gjatë kësaj jave, me temperatura që parashikohet të arrijnë deri në 49 gradë Celsius në disa zona.
Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile, rreth 4.000 zjarre u regjistruan në periudhën nga 1 maji deri më 20 korrik, krahasuar me 1.501 gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, që përfaqëson një rritje prej afër 167 për qind.

